Sht. Nën 23rd, 2024

Fillon dëshminë Nuredin Abazi, ZPS thotë se ai mori në pyetje Latife dhe Rrushe Kolollin si të ndaluara në Budakovë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 59-të, Nuredin Abazi i cili mban kodin W03865, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Ky dëshmitar është thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe sipas prokurorit James Pace, ka qenë këshilltar ligjor në Zonën Operative të Pashtrikut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari W03865 ka qenë anëtar i batalionit të UÇK-së në Budakovë dhe më pas ka qenë këshilltar ligjor në zonën Operative të Pashtrikut. Në deklaratat e mëparshme, 03865 ka dhënë informata për strukturën dhe aktivitetet e UÇK-së në Budakovë dhe të Pashtrikut në Prizren. Dëshmitari 03865 jep informacion gjithashtu lidhur me rolin dhe autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtarëve të tij”, tha prokurori.

Ai tha se dëshmitari ka folur me Latife dhe Rrushe Kolollin, që sipas prokurorit Pace kanë qenë të ndaluara në Budakovë. Madje, në një rast ai thotë se dëshmitari ka marrë në pyetje një të ndaluar tjetër me urdhër të Sadik Halitjahës.

“Dëshmitari 03865 ka folur me Latife Kolollin dhe Rrushe Kolollin dhe persona të tjerë që kanë qenë të ndaluar në Budakovë në gusht të 1998. Dëshmitari ka propozuar që të lirohen Latife dhe Rrushe Kololli dhe të dërgoheshin në Brigadë. Agim Zyba dhe Naim Kadolli i kanë thënë atij që i kanë dërguar ato në brigadë, më pas aty është dërguar edhe një i ndaluar. Dëshmitari do të japë informacion gjithashtu edhe për burgosjen e dy serbëve në Budakovë dhe gjithashtu burgosjen e një personi tjetër që dëshmitari e ka marrë në pyetje pasi i është kërkuar ta bëjë këtë nga Sadik Halitjaha në një tjetër vend”, tha prokurori.

Pas kësaj, pati kundërshtim nga vetë dëshmitari, i cili i tha se nuk kanë pasur asnjëherë të burgosur.

“Nuk kemi pasur asnjëherë të burgosur dhe as s’e kam përmend emrin ‘i burgosur’. Nuk e di nga e ka marrë”, tha dëshmitari Abazi.

Ndërsa, prokurori i tha që e ka përmendur termin ‘i ndaluar’ dhe jo i burgosur.

“Nuk përdora termin të burgosur në anglisht, por përdora termin të ndaluar”, tha prokurori.

Sipas asaj që u tha në sallën e gjyqit, dëshmitari aktualisht ushtron profesionin e avokatit, ndërsa më herët e ka ushtruar funksionin e gjyqtarit.

Ndërsa rreth periudhës mars-prill 1999 e deri në fund të luftës, Abazi pohoi se ka qenë këshilltar juridik në zonën operative të Pashtrikut.

Pas kësaj, atij iu prezantua një organogram, ku konfirmoi se komandant i zonës ka qenë Tahir Sinani në Budakovë, ndërsa Sadik Halitjaha ka qenë zëvendës i tij.

“Po qat’herë mbas vitit të ri, kah shkurti-marsi (për Tahir Sinanin). Sa e di unë prapë po them”, tha dëshmitari, duke shtuar se Nexhmi Krasniqi ka qenë komandant i policisë ushtarake në këtë zonë, Nezir Kryeziu ka qenë pjesëtar i njësisë speciale “Syri i Shqiponjës”, Halil Cardaku pjesëtar i G2-shit, kurse Sabaudin Cena i G5-shit.

I pyetur nëse Haxhi Shala ka qenë komandant i Brigadës 121, dëshmitari Abazi tha se nuk e ka njohur atë kohë dhe se nuk e di.

“Nuk e kam njoftë kurrë Haxhi Shalën. Mbas luftës e kam pa në televizor. A ka qenë a s’ka qenë ai e di vetë. Unë nuk mundem me thënë sen për ta. Kanë qarkullu fjalë të ushtarëve, përndryshe kurrë s’kam ndejtë me Haxhi Shalën”, tha ai.

Dëshmitari u pyet edhe për persona të tjerë që pretendohet se kanë qenë komandantë të brigadave të tjera. Ai tha se nuk ka informacione nëse Vllanzim Kryeziu ka qenë komandant i Brigadës 122.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *