Qeveria e Republikës së Kosovës sot mbajti mbledhje elektronike, në të cilën miratoi disa vendime.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në mbledhje u miratua Korniza afatmesme e shpenzimeve për vitet 2025-2027, që paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për vitin 2025.
Qëllimi kryesor i KASH-it është që të ofrojë një analizë të bazuar të mjedisit makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë, transmeton Indeksonline.
Më pas, Qeveria miratoi edhe raportin tremujor të Buxhetit për vitin 2024, i cili përmban një përmbledhje të trendëve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përgjatë periudhës së këtij tremujori të parë.
Raporti përmban edhe analiza përmbledhëse të periudhës përkatëse, pasqyron të hyrat sipas institucioneve mbledhëse në nivelin qendror dhe lokal, detaje mbi të hyrat sipas llojit të tatimeve, si dhe krahasimet me periudhat paraprake dhe projeksionet buxhetore.
Qeveria gjithashtuka miratuar edhe Programin e Borxhit Shtetëror për vitet 2025-2027.
“Në këtë dokument pasqyrohen zhvillimet e fundit në parametrat e borxhit shtetëror, vlerësohen rreziqet kryesore që ndërlidhen me strukturën e borxhit shtetëror dhe përcaktohen objektivat afatmesme të menaxhimit të borxhit shtetëror” thuhet në njoftim