Qeveria e Kosovës ka mohuar se lajmi për përfundimin e mandatit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të ketë dalë nga ta.
“Nuk kemi ndonjë kontakt me gazetarin në fjalë, me të cilin nuk ndajmë qëndrim sa i përket pretendimeve të tij në lidhje me emisarin Escobar”, thuhet në përgjigjen e qeverisë për Zërin e Amerikës.
Escobar tha sot se shkrimet e fundjavës për “shkarkimin e tij” janë “dezinformata” të prodhuara nga “një i ashtuquajtur gazetar” dhe raportimet dolën pasi, kontaktoi me qeveritë në rajon për të diskutuar lidhur me kalimin e tij në një detyrë tjetër në Departamentin amerikan të Shtetit pas përfundimit të mandatit të tij.
closevolume_off
“Ky raportim doli pak kohë pasi unë komunikova me qeverinë e Kosovës”, tha Escobar.
Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se Escobar nuk është shkarkuar, por do të lëvizë gjatë javëve në vijim në një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohësh.
Duke hedhur poshtë raportimet, DASH-i bëri thirrje që “gazetarët të vërtetojnë faktet para se të përhapin thashetheme ofenduese dhe të pabaza”, që sipas Departamentit të Shtetit paraqesin kërcënim të jashtëzakonshëm për shoqëritë demokratike.