Die. Nën 24th, 2024

BE: Diskutimet Kosovë – Serbi për dinarin vazhdojnë të mërkurën, presim zgjidhje të qëndrueshme

Bashkimi Evropian ka ftuar Prishtinën dhe Beogradin për një takim të mërkurën në kërkim të një zgjidhjeje mbi përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa sot skadon afati i planit kalimtar të cilin Banka Qendrore e kishte përcaktuar për të lehtësuar zbatimin e rregullores për pagesa me para në dorë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se blloku pret nga palët të gjejnë një zgjidhje të përkohshme dhe të qëndrueshme mbi këtë çështje.

“Ata do të vazhdojnë diskutimet për të gjetur një zgjidhje të përkohshme dhe të qëndrueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore për pagesat me para në dorë. Bashkimi Evropian pret nga të dyja palët që të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, tha ai.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi me 1 shkurt, përcakton se euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.

LEXONI EDHE KËTË
Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë në muajin maj bisedimet për dinarin
Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.

Takimi i së mërkurës do të jetë i shtati me radhë në përpjekje për të gjetur zgjidhje për këtë çështje që është shndërruar edhe në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.

Pas takimit të fundit me 25 maj, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak tha se u ka paraqitur palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa dhënë hollësi se për çfarë propozimi bëhet fjalë. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë akuzuan njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve, ndërkaq Bashkimi Evropian tha sot se nuk komenton mbi negociatat që janë duke u zhvilluar në mirëbesim.

“Në çdo çështje në kuadër të dialogut Prishtinë Beograd ne shpresojmë se takimi i radhës do të jetë i fundit, sepse çështje si kjo po e shpërqendrojnë vëmendjen nga ajo çfarë është vërtetë e nevojshme që është përparimi në zbatimin e të ashtuquajturës marrëveshje e Ohrit. Kështu që ne shpresojmë që palët do të jenë të afta të veprojnë në mënyrë evropiane për të arritur kompromisin e nevojshëm”, tha zoti Stano.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje t’i nxisë palët të zbatojnë marrëveshjen e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër. Kancelari gjerman Olaf Scholz, bisedoi të hënën në telefon me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe sipas një njoftimi, ai theksoi detyrimet e Serbisë për zbatimin Marrëveshjes së Ohrit. Udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane shpresonin që zbatimi i marrëveshjes të sigurojë njohjen de facto të Kosovës nga Serbia dhe që Prishtina të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Gjermania dhe Franca e shndërruan themelimin e Asociacionit në kusht për votimin e tyre në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës./VOA

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *