Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se sot është një ditur e hidhur për Kosovën dhe qytetarët e saj, ku do të duhej të festohej pranimi në Këshillin e Evropës.
Krasniqi ka hedhur kritika të ashpra drejt Qeverisë, duke thënë se ky pushtet dështoi ta finalizojë një punë që ishte “thuajse e kryer”, teksa sot Kosova ka humbur mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë.
Tutje Krasniqi ka përsëritur dëshirën e tij për zgjedhje të reja, duke i cilësuar këto si të domosdoshme.
Sipas tij, sot dhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin dhe se shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre.
Postimi i plotë i tij:
Sot, është një ditë e hidhur për Kosovën dhe për qytetarët tanë. Sot, do të duhej të festonim pranimin në Këshillin e Evropës. Në vend se të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – e për çfarë është punuar gjatë, sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë.
Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata.
Qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, aty ku zbatohen parimet e drejtësisë së Kartës Evropiane të Drejtave të Njeriut, e cila edhe ashtu është e inkuadruar brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të ishte përfitim i madh për qytetarët dhe shtetin tonë.
Pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, si PDK kemi insistuar menjëherë që Kosova të nis procedurat për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, duke e dhënë mbështetjen tonë të parezervë në çdo hap të këtij procesi.
Fatkeqësisht, sot, dy vite më vonë, kur gjithçka ishte gati pasi kishim siguruar mbështetjen e nevojshme, për shkak të paaftësisë së plotë dhe papërgjegjësisë së skajshme të Qeverisë sonë, edhe kjo mundësi u humb. Akoma më keq, një rast i tillë nuk e dijmë se kur do të na paraqitet prapë.
Qytetarët e Kosovës sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të indinjuar dhe të papërfaqësuar. Ata dhe shteti ynë, kanë merituar më shumë – kanë merituar më mirë.
Për PDK-në, rrugëtimi drejt integrimit evropian të shtetit tonë është i paalternativë. Përkushtimi ynë për drejtësi, demokraci dhe të drejta të plota për çdo qytetar të Kosovës mbetet i palëkundur.
Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!