Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu po vihet gjithnjë e më shumë nën trysni nga jashtë dhe brenda vendit për të përcaktuar objektivat strategjike për përfundimin e luftës Izrael-Hamas dhe mundësimin e një zgjidhjeje politike për territorin palestinez.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant bëri kritika të ashpra të mërkurën në një fjalim televiziv, duke i bërë thirrje kryeministrit të marrë “vendime të vështira” për Gazën e pasluftës, pavarësisht nga kostot politike. Zoti Gallant i paralajmëroi izraelitët se mosveprimi do të eliminonte avantazhet e arritura nga lufta dhe do ta vendoste në rrezik sigurinë afatgjatë të vendit.
Zoti Gallant kritikoi zotin Netanjahu për mungesën e planeve për të zëvendësuar regjimin e Hamasit në periudhën e pasluftës.
“Që nga tetori, e kam ngritur këtë çështje vazhdimisht në Kabinet dhe nuk kam marrë përgjigje”, tha ai.
Komentet e zotit Gallant u bënë pasi këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan u tha gazetarëve të hënën se Izraeli nuk i ka kombinuar ende operacionet ushtarake me një plan politik për qeverisjen e territorit palestinez pasi të kenë përfunduar luftimet.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e përsëriti këtë mesazh të mërkurën, duke thënë se Izraelit i duhet një “plan i qartë dhe konkret” për të ardhmen e Gazës, për të shmangur një vakuum pushteti që do të shoqërohej nga kaosi.
Zoti Gallant ka përjashtuar çdo formë qeverisjeje izraelite në Gazë, duke thënë se ky territor duhet të drejtohet nga “entitete palestineze” me mbështetje ndërkombëtare, një qëndrim ky i mbështetur prej kohësh nga administrata e presidentit Biden.
Administrata amerikane nuk konfirmoi nëse i pati bashkërenduar deklaratat e zotit Gallant me ato të zyrtarëve të lartë amerikanë.
“Nuk do të flas për kohën kur u bënë deklaratat. Nuk do të bëj analizë për këtë”, tha sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës gjatë konferencës për shtypin të enjten.
“E kemi shprehu qëndrimin tonë”, shtoi ajo, duke theksuar bisedimet e mëparshme me qeverinë izraelite.
Një zyrtar i lartë i administratës që foli në kushte anonimiteti tha se administrata amerikane ka të njëjtin shqetësim me zotin Gallant, se Izraeli nuk ka hartuar plane për mbajtjen dhe qeverisjen e territorit të vendosur nën kontroll nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit, duke hapur kështu rrugën rimëkëmbjes së Hamasit në këto zona.
Kryeministri Netanjahu përqëndrohet tek shkatërrimi i Hamasit
Zoti Netanjahu thotë se planifikimi për periudhën e pasluftës nuk është i mundur pa shkatërruar fillimisht Hamasin.
Megjithëse qeveria e tij dhe Uashingtoni bien dakort se Hamasi nuk mund të vazhdojë të qeverisë Gazën, ata kanë qëndrime të ndryshme se kush duhet të jetë në krye të këtij territori pas luftës që filloi me sulmin e grupit militant ndaj Izraelit në 7 tetor.
“Nuk mbështesim dhe nuk do të mbështesim një pushtim izraelit”, përsëriti sekretari Blinken të mërkurën.
Deklarata e zotit Gallant pasqyron komentet e bëra nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë izraelitë dhe zhgënjimin e një publiku izraelit të lodhur nga lufta, tha Mairav Zonszein, analiste për çështjet izraelito-palestineze në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
“Nuk është për t’u habitur. Nuk është diçka e re”, i tha ajo Zërit të Amerikës. “Por mendoj se është duke u arritur në një pikë kthese për disa njerëz në qeveri, sepse marrëveshja e pengjeve dhe armëpushimi janë në një situatë ngërçi, sepse nuk po merren vendime se sa do të zgjasë kjo luftë”.
Zoti Netanjahu u tha gazetarëve të enjten se po planifikon të thërrasë ministrin e tij të mbrojtjes për “një bisedë”, pas kritikave publike që bëri zoti Gallant.
Shanset për armëpushim zbehen
Ndërkohë, perspektivat për një marrëveshje armëpushimi duken të zbehta që kur bisedimet në Kajro u ndërprenë në fillim të këtij muaji.
“Çdo përpjekje, apo marrëveshje duhet të sigurojë një armëpushim të përhershëm, një tërheqje gjithëpërfshirëse nga i gjithë Rripi i Gazës, një marrëveshje të vërtetë shkëmbimi të të burgosurve, kthimin e të zhvendosurve, rindërtimin dhe heqjen e bllokadës”, tha të mërkurën shefi i Hamasit, Ismail Haniyeh.
Palestinians ecin mes rrënojave pas një sulmi të forcave izraelite në Khan Yunis (15 maj 2024)
Palestinians ecin mes rrënojave pas një sulmi të forcave izraelite në Khan Yunis (15 maj 2024)
Izraeli deri më tani ka refuzuar të ndërmarrë ndonjë angazhim për t’i dhënë fund fushatës ushtarake në Gazë. Pra, në thelb, objektivat strategjike të palëve ndërluftuese janë “pothuajse në pozicionet më të largëta të mundshme nga njëra-tjetra”, tha Nimrod Goren, studiues për çështjet izraelite në Institutin e Lindjes së Mesme.
Vendet ndërmjetësuese – Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari – nuk shohin ndonjë mundësi përparimi për momentin, i tha zoti Goren Zërit të Amerikës, edhe pse arritja e një marrëveshjeje armëpushimi “bëhet më urgjente, jo vetëm për shkak të Gazës, por edhe për shkak të Libanit”.
Shkëmbimet e zjarrit mes Izraelit dhe Hezbollahut, një tjetër grup që mbështetet nga Irani, janë përshkallëzuar që nga fillimi i operacioneve të Izraelit në Gazë, duke zhvendosur dhjetëra mijëra njerëz nga zonat përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin.
Ndërsa një armëpushim gjithëpërfshirës dhe i përhershëm mund të jetë i paarritshëm në këtë pikë, ka ende shpresa për arritjen e pjesës së parë të marrëveshjes së armëpushimit, që aktualisht është strukturuar në tre faza, tha zoti Goren.
Kjo nënkupton një pauzë gjashtë-javore në luftime, një shkëmbim të pengjeve të mbajtura nga Hamasi, me të burgosurit palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, si dhe një shtim të ndihmave humanitare që hyjnë në Gazë.
Megjithatë, një armëpushim afatgjatë nuk është dukur i zbatueshëm që nga fillimi i negociatave.
“Thjesht ka patur kërkesa ekskluzive nga të dyja palët”, tha zonja Zonszein. “Hamasi dëshiron përfundimin e luftës dhe tërheqjen e plotë të forcave [izraelite] dhe Izraeli nuk është i gatshëm ta bëjë këtë”.
Izraeli gjithashtu dëshiron që Hamasi të shpërbëhet plotësisht dhe udhëheqësit e tij të vriten, ndërsa zoti Haniyeh deklaroi të mërkurën se do të refuzonte çdo propozim që e përjashton këtë grup nga e ardhmja e Gazës së pasluftës.
Shtetet e Bashkuara ende dëshirojnë një zgjidhje me dy shtete
Megjithëse shanset duken të pakta, administrata e presidentit Biden vazhdon të jetë e përqëndruar tek objektivat afatgjata politike: një zgjidhje me dy shtete – krijimin e një shteti të pavarur palestinez që bashkëjeton me Izraelin.
Zoti Sullivan udhëton për në Arabinë Saudite këtë fundjavë për bisedime të mëtejshme për sigurimin e një marrëveshjeje të gjerë që do të vendoste marrëdhëniet diplomatike mes Riadit dhe Tel Avivit, një element kyç për arritjen e zgjidhjes me dy shtete.
Normalizimi i marrëdhënieve me mbretërinë e Arabisë Saudite, një vend kryesor sunit, ka të ngjarë të sjellë njohjen diplomatike të Izraelit edhe nga vendet e tjera arabe, si dhe vendet me shumicë myslimane në pjesë të tjera të botës.
Në të njëjtën kohë, zoti Sullivan pritet t’i kërkojë Izraelit të mos bëjë një sulm frontal tokësor në Rafah, ku janë strehuar mbi një milion palestinezë të zhvendosur. Uashingtoni beson se një operacion më i gjerë në Rafah do të rrezikonte marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve me sauditët.
“Siguria afatgjatë e Izraelit varet nga integrimi në rajon dhe mbajtja e marrëdhënieve normale me shtetet arabe, përfshirë Arabinë Saudite”, tha zoti Sullivan të hënën.
Ai tha se do të takohet me zyrtarët izraelitë “brenda disa ditëve” dhe sinjalizoi se Shtetet e Bashkuara presin ndërkohë nga Izraeli që të mos përparojë drejt qytetit Rafah.
Javën e kaluar, Forcat Mbrojtëse të Izraelit filluan një “operacion të kufizuar në objektiva konkrete” në Rafahun lindor, edhe pse administrata e presidentit Biden njoftoi se po pezullonte dërgimin e 3,500 predhave të kalibrit të madh, nga frika se Izraeli mund t’i përdorte ato në qytetin me popullsi të dendur.