Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Vlora Spanca, ka thënë se gjatë vitit të kaluar janë kryer 107 Auditime Financiare dhe të Pajtueshmërisë të pasqyrave vjetore financiare, raporton Ekonomia Online.
Gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Spanca tha se ZKA-ja ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese me rezultatet përkatëse. Spanca ka thënë se bashkëpunim kanë edhe me Prokurorinë e Shtetit, ku nga viti 2018, kanë dërguar mbi 300 raste të dyshuar për mashtrim e korrupsion.
Ajo tha se duke kryer auditime dhe publikuar 125 raporte të auditimit të fushave financiare/pajtueshmërisë, si dhe të performancës.
“Gjatë vitit 2023, janë kryer 107 Auditime Financiare dhe të Pajtueshmërisë të pasqyrave vjetore financiare, objektivë e të cilave ishte të ofrojmë siguri të arsyeshme nëse pasqyrat financiare si tërësi nuk përmbajnë keçdeklarime materiale, si dhe të ofrojmë opinionin e auditimit në lidhje me këto pasqyra. Përveç, opinionit, ne kemi shprehur konkluzionin e auditimit për pajtueshmërinë me legjislacionin e zbatueshëm përkatës. Këto auditime kanë përfshirë të gjitha organizatat buxhetore përfshirë nivelin qendror, nivelin lokal dhe institucionet e pavarura, mandej një numër të konsiderueshëm të ndërmarrjeve publike si dhe projektet e financuara nga donatorë siç janë Banka Botërore dhe DEMOS – projekti Helvetas”, tha Spanca.
Tutje, Spanca ka deklaruar se Raportet e auditimit për vitin 2023 kanë identifikuar mangësi të ndryshme, disa prej të cilave i veçoi para anëtarëve të këtij komisioni.
“Në Organizatat buxhetore. Cilësia e raportimit financiar ende vazhdon të mos jetë në nivelin e pritur për shkak se nga 86 auditimet e pasqyrave vjetore financiare, 33 sosh kishin keq deklarime materiale të cilat kanë rezultuar me opinion të modifikuar/kualifikuar. Ndërsa 53 të tjera kanë rezultuar me opinion të pamodifikuar. Megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar cilësia e raportimit financiar është përmirësuar për shkak se në vitin 2022 janë 13 organizata buxhetore më pak të cilat kanë marrë opinion të modifikuar. Prezantimi i saktë dhe i plotë i informatave financiare e rrit besueshmërinë e lexuesve ndaj raportimit financiar. Përveç këtyre, ZKA ka evidentuar çështje që lidhen me kontrollet dhe menaxhimin financiar si: Planifikim dhe realizim të buxhetit, rritje e llogarive të arkëtueshme, detyrimet e papaguara dhe kontigjente, pagesat sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore, si dhe pasuritë jo financiare”.
“Te Ndërmarrjet Publike-Cilësia e raportimit financiar edhe pse krahasuar me vitin e kaluar është përmirësuar, ende vazhdon të mos jetë në nivelin e pritur. Nga 11 auditimet e pasqyrave financiare të këtyre ndërmarrjeve, vetëm tek 1 është dhënë opinion i pamodifikuar, ndërsa tek 10 të tjera opinion i modifikuar (7 të kualifikuar dhe 3 të kundërta).
Punë të mirë, Spanca ka thënë se po bëjnë edhe në adresimin e rasteve me mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion. Si rezultat i kësaj, gjatë vitit 2023, kanë dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit 51 raste me elemente potenciale të veprave penale
“Në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe detyrimet tjera ligjore, ZKA edhe gjatë vitit dhe 2023 fokus të rëndësishëm i ka dhënë trajtimit dhe adresimit të çështjeve më mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion. Nga rezultatet e nxjerra në vitin 2023, kemi dërguar në Prokurori të Shtetit 51 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit, si dhe 3 raporte të auditimit në tërësi. Ndërsa, nga viti 2018 kemi dërguar ne Prokurori te Shtetit, mbi 300 raste me dyshime për mashtrim e korrupsion. Nga gjithsejtë këto raste, nga Prokurori i Shtetit në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit kemi pranuar informata kthyese për 143 raste ( raste janë për vite të ndryshme). Sipas këtyre informatave: janë ngritur vetëm 3 aktakuza, 81 raste janë në proces të hetimit (pra janë ndërmarrë veprimet hetimore) dhe për 59 raste me raport të Prokurorit rastet janë mbyllur”.