Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka takuar Drejtorin e ri për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, ambasadorin Michael Carpenter.
Gërvalla e Carpenter folën për sfidat globale dhe rajonale të sigurisë dhe për nevojën e bashkëpunimit të ngushtë mes Kosovës dhe ShBA-së për përballimin dhe tejkalimin e tyre.
“Gjatë takimit të zhvilluar në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Ëashington, Ministrja Gërvalla e njoftoi ambasadorin Carpenter rreth përparimit të bërë gjatë këtyre tri viteve sidomos në demokratizimin e vendit, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë, fusha këto në të cilat Republika e Kosovë është lidere në Ballkanin Perëndimor”.
“Ajo theksoi më tej vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor, drejtësi, zhvillim ekonomik, por njëkohësisht edhe paqe e stabilitet në rajon”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Më tej, bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u ritheksua miqësia e fortë mes Kosovës dhe ShBA-së, e cila sipas Gërvallës, vazhdon të jetë shtyllë e rëndësishme e sigurisë dhe zhvillimit në rajon.