Sht. Nën 23rd, 2024

Mes kritikash, Izraeli anulon vendimin për t’i ndërprerë transmetimin direkt agjencisë Associated Press

Pas kritikave ndërkombëtare, Izraeli anuloi këtë javë vendimin për t’i ndërprerë transmetimin direkt nga Gaza, agjencisë së lajmeve Associated Press. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Cristina Caicedo Smit analistët thonë se ky veprim i autoriteteve izraelite vjen ndërsa gazetarët që mbulojnë luftën Izraael-Hamas po përballen me më shumë sfida.

Të martën, transmetimi direkt nga Gaza u ndërpre pasi zyrtarët izraelitë i sekuestruan pajisjet agjencisë së lajmeve Associated Press. Veprimi u dënua nga faktori ndërkombëtar dhe Ministria e Komunikimit në Izrael, disa orë më vonë ndryshoi kurs dhe i riktheu pajisjet e bllokuara që bëjnë të mundur transmetimin e drejtpërdrejtë.

Izraeli e ka akuzuar agjencinë Associated Press se ka shkelur ligjin e ri të vendit për mediat e huaja duke ofruar përmbajtje informative për median e ndaluar Al Jazeera. Agjencia Associated Press i hodhi poshtë këto pretendime.

“Mbyllja nuk u bë për shkak të përbajtjes që ne transmetonim dhe vinin në dispozicion, por për shkak të abuzimit me ligjin e ri për mediat e huaja nga ana e qeverisë izraelite. Linja e transmetimit të drejtpërdrejtë kryesisht ka ofruar pamje të tymit që duket mbi Gazë”, shprehet, Julie Pace, redaktore ekzekutive e agjencisë Associated Press.

Urdhri që mbante firmën e ministrit të Kominikimit Shlomo Karhi u dënua nga Kombet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë dhe organizatat për mbrotjen e medias.

“Eshtë mjaft tronditëse. Mendoj se gazetarët duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre të lirë. Associated Press, dhe të gjitha organizatat e lajmeve, duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre lirisht dhe pa asnjë ndëryrhje”, thotë Stéphane Dujarric, zëdhënës i Kombeve të Bashkuara.

Në maj, Izraeli përdori ligjin e ri për mediat e huaja për të ndaluar transmetimet e televizionit Al Jazeera, me seli në Katar, duke thënë se ai përbënte shqetësim për sigurinë kombëtare.

Ministria e Komunikimit të Izraelit tha të martën se do të marrë masa për të “kufizuar transmetimet që cënojnë sigurinë e shtetit”.

Mbrojtësit e fjalës së lirë paralajmërojnë se ligji për mediat e huaja dhe kufizimet e tjera me të cilat përballet media në rajon, rrezikojnë të rrisin lajmet e pasakta dhe dezinformimin mbi konfiktin.

Luftimet nisën në 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë. Izraeli është kundërpërgjigjur duke ndërmarrë sulm ajror dhe tokësor ndaj Gazës që kontrollohet nga Hamasi, duke vrarë 35 mijë njerëz, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë.

“Një nga problemet që po shohim është se mungesa e mediave të pavarura në terren, për të mbuluar luftën po çon në përhapjen e propagandës. Prandaj, qasja e mediave ndërkombëtare në Gazë është parësore”, shprehet Clayton Weimers nga Organizata “Reporterët pa Kufij”.

“Reporterët pa Kufij” dhe organizata të tjera ndërkombëtare po ashtu kanë kritikuar Izraelin për masat e pamjaftueshme për të bërë të mundur sigurinë e gazetarëve.

Deri më tani, në mesin e mijëra të vrarëve, janë më shumë se 100 gazetarë, pothuajse të gjithë palestinezë.

Izraeli nuk i ka pranuar të dhënat për vdekjet e gazetarëve, duke thënë se shifrat përfshijnë edhe terroristë, një pretendim që organizatat për mbrojtjen e gazetarëve e refuzojnë me forcë.

“Ne hetojmë me shumë kujdes secilin rast. Ne nuk përfshijmë në të dhënat tona mbi gazetarët e vrarë, asnjë person për të cilin ka dyshime të arsyeshme se mund të konsiderohet militant i Hamasit”, shpehet zoti Weimers.

Të mërkurën, Associated Presss rinisi transmetimet e drejtpërdrejta.

Por ndërsa Hamasi vazhdon të mbajë pengjet izraelite dhe thuajse 75 për qind e popullsisë 2.3 milionë banorësh në Gazë është zhvendosur, organizatat që mbrojnë lirinë e medias, thonë se gazetarëve duhen t’u bëhet e mundur që të jenë në gjendje të përcjellin informacion të pavarur dhe te verifikuar.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *