Sht. Nën 23rd, 2024

GJND urdhëron Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën në Rafah

Smoke rises above buildings during Israeli bombardment in Rafah in the southern Gaza Strip on April 21, 2024, amid the ongoing conflict between Israel and the Hamas movement. (Photo by MOHAMMED ABED / AFP)

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), të premten do të marrë vendimin e saj lidhur me kërkesën e Afrikës së Jugut për masat emergjente të kërkuara si pjesë e një rasti më të gjerë që akuzon Izraelin për gjenocid në luftën e Gazës.

Afrika e Jugut i ka kërkuar gjykatës të urdhërojë ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah dhe tërheqjen e trupave nga i gjithë Rripi i Gazës.

Çfarë është GJND-ja?
GJND-ja, që njihet edhe si Gjykata Botërore, është organi më i lartë ligjor i Kombeve të Bashkuara, i themeluar në vitin 1945 për të trajtuar mosmarrëveshjet midis shteteve. Nuk duhet të ngatërrohet me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), të bazuar në traktat, gjithashtu në Hagë, e cila trajton rastet e krimeve të luftës kundër individëve.

Kolegji prej 15 gjyqtarësh i GJND-së – i cili zgjerohet nga një gjyqtar shtesë i zgjedhur nga Izraeli në këtë rast, sepse tashmë ka një gjykatës nga Afrika e Jugut – merret me mosmarrëveshjet kufitare dhe gjithnjë e më shumë çështje të ngritura nga shtetet që akuzojnë të tjerët për shkelje të detyrimeve të Traktatit të OKB-së.

Afrika e Jugut dhe Izraeli janë nënshkruese të Konventës së Gjenocidit të vitit 1948 që i jep GJND-së juridiksionin për të vendosur rreth mosmarrëveshjeve mbi traktatin. Ndërsa, çështja ka të bëjë me territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli, palestinezët nuk kanë asnjë rol zyrtar në procedurë.

Të gjitha shtetet që e kanë nënshkruar Konventën e Gjenocidit, janë të detyruara të mos kryejnë gjenocid dhe ta parandalojnë dhe ndëshkojnë atë. Traktati e përkufizon gjenocidin si “akte të kryera me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”.

Çfarë është rasti i Afrikës së Jugut?
Dosja fillestare prej 84 faqesh, e dorëzuar nga Afrika e Jugut tre muaj pas luftës, thotë se duke vrarë palestinezët në Gaza, duke u shkaktuar atyre lëndime të rënda mendore dhe trupore dhe duke krijuar kushte për jetën “të llogaritura për të sjellë shkatërrimin e tyre fizik”, Izraeli po kryen gjenocid ndaj tyre.

Në seancat dëgjimore në janar, Afrika e Jugut u fokusua në dështimin e Izraelit për të siguruar gjëra elementare si ushqim, ujë, ilaçe, karburant, strehim dhe ndihma të tjera humanitare për Gazën gjatë luftës me grupin militant palestinez, Hamas – i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja. Ajo, gjithashtu, iu referua fushatës së vazhdueshme të bombardimeve të Izraelit, për të cilën autoritetet shëndetësore të Gazës thonë se ka vrarë më shumë se 35.000 njerëz.

Më 16 maj, Afrika e Jugut bëri një apel të ri në gjykatë, duke i kërkuar asaj që të urdhëronte forcat izraelite t’i ndalnin operacionet në Rafah, në Gazën jugore, ku afërsisht gjysma e 2.3 milionë banorëve të territorit kishin kërkuar strehim nga ofensiva. Ajo, po ashtu, kërkoi nga gjykata që të urdhërojë Izraelin të tërhiqet plotësisht nga i gjithë Rripi i Gazës.

Cila është përgjigja e Izraelit?
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka hedhur poshtë akuzat për gjenocid si të egra. Izraeli thotë se bën gjithçka që mundet për t’i mbrojtur civilët palestinezë në Gaza dhe akuzon Hamasin për përdorimin e civilëve palestinezë si mburoja njerëzore – një akuzë që Hamasi e mohon.

Izraeli thotë se duhet të ketë të drejtën për të mbrojtur veten pas sulmeve të 7 tetorit të udhëhequra nga Hamasi në Izrael, në të cilat u vranë 1200 njerëz dhe më shumë se 250 u rrëmbyen, sipas të dhënave izraelite. Gjatë paraqitjes së kundër-argumenteve më 17 maj, Izraeli tha se kërkesa e Afrikës së Jugut është “tallje me Konventën e Gjenocidit” dhe i kërkoi gjykatës ta hedhë poshtë kërkesën.

Çfarë ka vendosur GJND-ja në këtë rast deri tani?
Pas rundit të parë të seancave mbi masat emergjente në janar, gjykata gjeti se ishte e besueshme se Izraeli kishte shkelur disa të drejta të garantuara për palestinezët në Gaza sipas Konventës së Gjenocidit. Gjyqtarët urdhëruan Izraelin të përmbahej nga aktet që mund të bien nën Konventën e Gjenocidit dhe të sigurojë që trupat e tij të mos kryejnë akte gjenocidale kundër palestinezëve.

Sipas Konventës së Gjenocidit, aktet e gjenocidit përfshijnë vrasjen e anëtarëve të një grupi, shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore ose mendore ndaj tyre dhe shkaktimin e qëllimshëm të kushteve të jetës që llogariten se sjellin shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të grupit.

Gjyqtarët gjithashtu urdhëruan Izraelin të ndërmarrë veprime për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza. Në mars, gjykata lëshoi masa të tjera urgjente dhe urdhëroi Izraelin të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe efektive për të siguruar furnizimet bazë ushqimore për palestinezët në Gaza.

Më 24 maj, gjykata do të marrë një vendim lidhur me kërkesën e fundit për një ndërhyrje të menjëhershme, ose masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, jo vetëm për rastin e gjenocidit. Vendimi për rastin e gjenocidit mund të marrë disa vjet.

Vendimet e GJND-së janë përfundimtare dhe pa ankesë, por GJND-ja nuk ka asnjë mënyrë për t’i zbatuar ato. Një vendim kundër Izraelit mund të dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të vendit dhe të krijojë një precedent ligjor./Reuters/

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *