Sht. Nën 23rd, 2024

Scholz: Do ta mbrojmë çdo centimetër katror të territorit të NATO-s

Vendimi i NATO-s së voni për ta përforcuar kufirin e vet lindor ka për qëllim ta frenojë Rusinë, tha të dielën kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Ai tha se Moska duhet ta ketë të qartë se aleanca ushtarake do të jetë e gatshme për ta mbrojtur veten, nëse është e nevojshme.

Duke folur në Forumin Ekonomik Gjerman, ku mori pjesë edhe kryeministrja e Lituanisë Ingrida Simonyte, Scholz tha se Gjermania ka luajtur rol udhëheqës në praninë e NATO-s në vendet e baltikut në kufi me Rusinë tash e një dekadë.

“Për shkak se kërcënimi nga Rusia do të vazhdojë, ne dhe aleatët e tjerë vendosëm vitin e kaluar të zhvendosnim njësite shtesë në vendet baltike, si dhe për ta vendosur atje përherë një brigadë të tërë në të ardhmen”, tha Scholz.

“Por ky ndryshim në politikën e sigurisë është i nevojshëm për t’i treguar Rusisë: Ne jemi të gatshëm për ta mbrojtur çdo centimetër katror të territorit të NATO-s kundër sulmeve”, shtoi ai.

Ai theksoi se diplomacia do të jetë e suksesshme vetëm nga pozicioni i forcës.

Në fillim të kësaj jave, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i paralajmëroi vendet anëtare të NATO-s të mos e lejonin Ukrainën të kryejë sulme me armët e tyre brenda Rusisë, pasi disa vende aleate të Perëndimit vendosin t’i heqin kufizimet ndaj Kievit për përdorimin e armëve me të cilat e furnizojnë.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i hodhi poshtë paralajmërimet e Putinit të premten, duke thënë se aleanca ka dëgjuar shumë herë paralajmërime të tilla në të kaluarën dhe se vetëmbrojtja nuk nënkupton përshkallëzim./Rel

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *