Gazetarë dhe zyrtarë palestinezë të shëndetësisë njoftuan të hënën se 11 persona u vranë në Gazë si pasojë e sulmeve izraelite. Këto zhvillimeve vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkuan që palët të bien dakord për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve që vazhdojnë të mbahen nga grupi i militantëve të Hamasit.
Ushtria izraelite bëri të ditur sot se forcat e saj kishin kryer sulme ajrore ndaj më shumë se 50 objektivave në Rripin e Gazës. Zyrtarë të saj thanë se trupat tokësore kryen operacione në pjesën qëndrore të Gazës dhe në jug të rajonit, në Rafah.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan gjithashtu se nga një hetim mjeko-ligjor, ishte identifikuar trupi i Dolev Yehoud-it një shtetas izraelit, për të cilin dyshohej se ishte marrë peng nga militantët e Hamasit. Mbetje të trupit të tij u gjetën në qytetin në jug të vendit, Kibbutz Nir Oz.
Të dielën në mbrëmje Departamenti i Shtetit njoftoi se Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken diskutoi mbi propozimin për paqe me zyrtarët izraelitë. Ai tha se plani do të “mbështeste interesat afatgjata të sigurisë të Izraelit”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller tha se zoti Blinken zhvilloi biseda të veçanta telefonike me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant si dhe ministrin e Kabinetit të Luftës Benny Gantz. Ai u kishte thënë zyrtarëve izraelitë se propozimi për armëpushim do të “siguronte lirimin e të gjitha pengjeve si dhe do të rriste ndihmën humanitare në të gjithë Gazën”.
“Sekretari theksoi se Hamasi duhet ta pranojë marrëveshjen pa vonesë. Ai përsëriti se përveç ribashkimit të pengjeve me të afërmit e tyre, propozimi mbështet interesat afatgjata të sigurisë të Izraelit, përfshirë vendosjen e qetësisë përgjatë kufirit të vendit me Libanin, duke u dhënë mundësi izraelitëve të ktheheshin në shtëpitë e tyre”, tha zoti Miller, në një deklaratë duke iu referuar bisedës telefonike mes zotit Blinken dhe zotit Gantz. E njëjta gjë thuhej edhe në një deklaratë në lidhje me bisedën telefonike mes zotit Gallant e zoti Blinken.
Më herët të dielën, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se nëse Hamasi bie dakord me armëpushimin e propozuar, Shtetet e Bashkuara presin që edhe Izraeli ta pranojë atë.
Zoti Gallant tha të dielën se Izraeli nuk do të pranonte që Hamasi të vazhdonte të sundonte në Gazë në asnjë fazë të procesit të paqes dhe se “po shqyrtonte disa alternative” lidhur me grupin islamik.
“Ne do të izolojmë zonat në Gazë, do të largojmë operativët e Hamasit prej tyre dhe do të vendosim forca që do të mundësojnë formimin e një qeverie alternative – e cila që do të kërcënonte (pushtetin) e Hamasit”, tha zoti Gallant.
Por ai nuk dha detaje mbi alternativat e mundshme.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të shtunën se “kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës nuk kanë ndryshuar”. Ai përmendi shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, lirimin e të gjitha pengjeve, si dhe sigurimin e kushteve siç tha ai që Rajoni i Gazës, të mos përbëjë më një kërcënim për Izraelin.
Ndarjet e brendshme
Kryeministri Netanyahu po përballet me përçarje brenda koalicionit qeverisës të krahut të djathtë, si dhe presion të madh të brendshëm nga palët kundërshtare, rreth atij që është quajtur plani izraelit për Gazën dhe Hamasin.
Dy anëtarë të krahut të djathtë të kabinetit të tij, Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir dhe ai i Financave Bezalel Smotrich, kërcënuan të shtunën se do ta rrëzojnë qeverinë e zotit Netanyahu nëse ai do ta pranonte propozimin e zotit Biden.
Udhëheqësi i opozitës Yair Lapid i kërkoi zotit Netanyahu ta pranojë marrëveshjen dhe ofroi ta mbështeste kryeministrin, nëse Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich, largohen nga qeveria.
Po kështu familjet e pengjeve i bënë presion Izraelit dhe Hamasit që të bien dakord mbi marrëveshjen e propozuar. Dhjetëra mijëra protestues u mblodhën sërish të shtunën në Tel Aviv duke kërkuar kthimin e pengjeve.
Presidenti izraelit Isaac Herzog tha të dielën se ai i kishte thënë zotit Netanyahu se “do t’i jepte atij dhe qeverisë së tij, mbështetjen e plotë për një marrëveshje falë së cilës do të sigurohej lirimi i pengjeve”.
“Është detyrimi ynë që t’i kthejmë pengjet në shtëpi brenda kornizës së një marrëveshjeje që ruan interesat e sigurisë së shtetit të Izraelit”, tha zoti Herzog në një fjalim në universitetin Hebraik të Jerusalemit.
Ndërkohë grupi militant palestinez Hamas, tha se “po e sheh nën një dritë pozitive” atë që zoti Biden e cilësoi të premten si plani izraelit.
Megjithatë, zyrtari i lartë i Hamasit, Mahmoud Mardawi, tha të shtunën gjatë një interviste televizive në Katar se nuk do të arrihet asnjë marrëveshje përpara plotësimit të kërkesës së tyre “për tërheqjen e ushtrisë pushtuese dhe arritjes së një armëpushimi”, siç tha ai. Mahmoud Mardawi bërë thirrje për përfundimin e luftës dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza.