Sht. Nën 23rd, 2024

Shtetet e Bashkuara kërkojnë mbështetje për marrëveshjen e armëpushimit në Gazë

Smoke rises above buildings during Israeli bombardment in Rafah in the southern Gaza Strip on April 21, 2024, amid the ongoing conflict between Israel and the Hamas movement. (Photo by MOHAMMED ABED / AFP)

Fati i propozimit që do të ndalonte përkohësisht luftimet në Gazë, do të shtonte ndihmën humanitare në Gazë dhe do të mundësonte lirimin e disa pengjeve që po mbahen nga Hamasi mbetet i paqartë. Grupi militant Hamas ende nuk ka dhënë një përgjigje ndaj propozimit, zyrtarët izraelitë janë kundër disa pjesëve të tij, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përkrahjen e Këshillit të Sigurimit për pranimin dhe zbatimin e marrëveshjes.

Një draft i rezolutës, të cilën e ka parë Zëri i Amerikës, i bën thirrje Hamasit të pranojë në tërësi dhe ta zbatojë propozimin për armëpushim “pa vonesa dhe pa kushte.”

Në draft thuhet se “zbatimi i shpejtë i kësaj marrëveshjeje do të mundësonte armëpushimin, tërheqjen e forcave izraelite nga pjesët e populluara të Gazës, lirimin e pengjeve, një shtim të ndihmës humanitare, administrimin e shërbimeve jetiuke dhe kthimin e civilëve palestinezë në pjesën veriore të Gazës.”

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Miller deklaroi të hënën se Hamasi, që ka pranuar propozimin për armëpushim të enjten, ende nuk është përgjigjur.

“Bota duhet ta dijë, palestinezët duhet ta dinë, se e vetmja pengesë për arritjen e armëpushimit sot është Hamasi. Propozimi që po diskutohet tani është gati identik me atë që Hamasi tha se e pranonte para disa javësh dhe tani është koha që të veprojë. Ka ardhur koha që ta pranojë marrëveshjen”, thotë zëdhënësi Miller.

Korniza bazë e marrëveshjes përfshin një pauzë gjashtë javore të luftimeve, lirimin e pengjeve që po mbahen në Gazë, futjen e 600 kamionëve me ndihma në ditë për palestinezët dhe negociata që synojnë përfundimin e përhershëm të konfliktit.

Zyrtarët amerikanë theksuan të hënën se propozimi për armëpushim, ndonëse u publikua nga Presidenti Joe Biden javën e kaluar, është një propozim i Izraelit. Sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, John Kirby, vendimi për t’i bërë publike negociatat nuk ka për qëllim t’u bëjë trysni zyrtarëve izraelitë, por Hamasit dhe drejtuesve të tij që ta pranojnë marrëveshjen.

“Synimi nuk është të ushtrojmë trysni ndaj kryeministrit izraelit apo qeverisë së luftës, por t’i tregojmë publikut se si izraelitët me këmbëngulje dolën me një propozim të ri dhe gatishmërinë e tyre për ta bërë këtë. Nëse bëhet fjalë për trysni, atëherë synimi është t’i bëjmë trysni publike zotit Sinwar dhe Hamasit, që vazhdimisht i hedh poshtë propozimet e Izraelit”, thotë zëdhënësi Kirby.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha një komisioni parlamentar të hënën se “pretendimet që kemi rënë dakord për arritjen e armëpushimit pa plotësimin e kushteve tona, janë të pasakta”, sipas një deklarate nga zyra e tij. Shumë izraelitë po nxisin zotin Netanyahu të pajtohet me propozimin e Presidentit Biden, por aleatët e krahut të djathtë të skajshëm po kërcënojnë me rrëzimin e qeverisë.

“Po punojmë në forma të ndryshme për t’i kthyer pengjet. Tërë kohën mendoj për ta, për familjet e tyre, vuajtjet dhe kjo është arsyeja përse bëmë kaq shumë përpjekje për t’i kthyer. Por krahas këtij procesi, i jemi përmbajtur objektivit kryesor të luftës që është shkatërrimi i Hamasit. Këmbëngulim në arritjen e këtyre dy qëllimeve. Është pjesë e kornizës dhe nuk po e shtoj tani për shkak të trysnisë nga koalicioni. Për këtë jemi pajtuar në kabinetin e luftës”, deklaroi ai.

Një zëdhënës i qeverisë izraelite theksoi se “lufta do të ndalet për të kthyer pengjeve” dhe pastaj do të vazhdohet me negociata se si të arrihen qëllimi i Izraelit për eliminimin e Hamasit.

Udhëheqësit e shtatë fuqive kryesore industriale përkrahën propozimin për armëpushim të hënën dhe njëkohësisht ministrat e jashtëm të Egjiptit, Jordanisë, Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe theksuan se përkrahin përpjekjet për armëpushim të përhershëm dhe se po e trajtojnë “seriozisht dhe në frymë pozitive” propozimin e publikuar nga zoti Biden.

Ndërkohë gjatë të martës, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë në Gazë, sulmet izraelite vranë 11 palestinezë, përfshirë një familje 3 antarëshe dhe tetë zyrtarë policie të Ministrisë së Brendshme të drejtuar nga Hamasi, në pjesën qendrore të Gazës.

Rreth 36,000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Gazë në tetë muaj lufte, sipas zyrtarëve palestinezë që nuk bëjnë dallimin midis viktimave civile dhe militantëve.

Lufta filloi pas sulmit të Hamasit në vendbanimet izraelite që la 1,200 të vrarë dhe 250 pengje.

Ofensiva e zgjeruar e Izraelit në Gazë ka ndërprerë futjen e ushqimeve dhe ilaçeve tek palestinezët që po përballen me uri.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *