Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje të reja për arrestimin e dy personave të dyshuar si bashkëpunëtor të BIA-s serbe.
Në njoftim bëhet e ditur se Prokuroria ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore” thuhet në njoftim.
Ndersa ne media eshte raportuar me heret se Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Ferizaj. Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi dyshohet se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Shabani dhe Qerimi janë arrestuar sot në një aksion të Drejtorisë për Krime të Rënda të Policisë së Kosovës.