Sht. Nën 23rd, 2024

Sulmet ajrore izraelite godasin një shkollë të OKB-së në Gazën qendrore

Ushtria izraelite kreu një sulm ajror të enjten në një shkollë të OKB-së në Gazën qendrore, nga pasojat e të cilit, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë mbeten të vrarë mbi 30 veta.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se luftëtarët e Hamasit që morën pjesë në sulmin e 7 tetorit kundër Izraelit, po e përdornin shkollën si strehë dhe vend prej nga “drejtonin terrorin”.

Zyra e medias e Hamasit hodhi poshtë deklaratën e Izraelit dhe tha se forcat izraelite kryen një “krim brutal” kundër të zhvendosurve.

Sulmi ndodhi në një shkollë të drejtuar nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Nuseirat.

Ushtria izraelite të mërkurën njoftoi fillimin e “aktivitetit operacional” pranë të njëjtës zonë, në disa pjesë të Deir al-Balahut dhe kampit të refugjatëve, Bureij.

Ushtria tha se po sulmonte “objektiva terroriste, duke përfshirë komplekset ushtarake, depot e armëve dhe infrastrukturën nëntokësore”.

Banorët në zonë raportuan për bombardime të fuqishme.

Sipas organizatës “Mjekët pa Kufij”, të paktën 70 veta u vranë dhe 300 u plagosën që nga e marta, pas “sulmeve të rënda izraelite” në Gazën qendrore.

Njëmbëdhjetë persona u plagosën të mërkurën pasi një qytet në veri të Izraelit u godit nga Libani, thanë punonjësit izraelit të emergjencave.

Grupi i milicisë libaneze Hezbollah, tha se vuri në shënjestër një grup zyrtarësh ushtarakë me një dron, në përgjigje të një sulmi nga Izraeli.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, vizitoi një pjesë të Izraelit verior pranë kufirit me Libanin, ku forcat izraelite dhe luftëtarët e Hezbollahut kanë shkëmbyer zjarr gjatë gjithë luftës në Gaza, duke ngritur shqetësimet për një konflikt të zgjeruar rajonal.

“Kushdo që mendon se mund të na dëmtojë dhe ne do të rrimë duarkryq, gabon rëndë. Ne jemi të përgatitur për një aksion shumë të fortë në veri. Në një mënyrë ose në një tjetër, ne do të rivendosim sigurinë në veri”, tha kryeministri Netanyahu.

Luftimet midis Izraelit dhe Hezbollahut filluan më 8 tetor. Që atëherë, rreth 400 veta janë vrarë në Liban, kryesisht luftëtarë dhe rreth 25 veta në Izrael.

Hamasi nisi sulmin terrorist të 7 tetorit mbi Izraelin, duke vrarë rreth 1200 njerëz, sipas të dhënave izraelite, dhe duke marrë rreth 250 pengje. Rreth 120 nga pengjet mbeten në Gaza, megjithëse ushtria izraelite thotë se 37 prej tyre kanë vdekur.

Bombardimet hakmarrëse të Izraelit dhe sulmet tokësore kanë vrarë të paktën 36,500 njerëz në Gaza, kryesisht civilë, sipas ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Kombet e Bashkuara, në një raport të publikuar të mërkurën, paralajmëruan se të paktën 1 milion palestinezë do të arrijnë shkallën më të lartë të urisë deri në mes të korrikut. Kufizimet e rënda në rrjedhën e ushqimit, ujit, karburantit dhe ndihmës mjekësore, po përkeqësojnë situatën në Gaza, veçanërisht në Gazën veriore, thanë në raportin e përbashjët Programi Botëror i Ushqimit dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë.

Ndërkohë, Spanja njoftoi se do t’i kërkojë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ta lejojë t’i bashkohet çështjes së ngritur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzon Izraelin për gjenocid në Gazë. Spanja është vendi i parë evropian që ndërmerr këtë hap pasi Afrika e Jugut paraqiti çështjen në gjykatën e Kombeve të Bashkuara në fund të vitit të kaluar.

Meksika, Kolumbia, Nikaragua, Libia dhe palestinezët kanë kërkuar tashmë t’i bashkohen çështjes. Gjykata ka urdhëruar Izraelin të ndalojë menjëherë ofensivën ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, por nuk urdhëroi një armëpushim në rajon. Izraeli nuk e ka respektuar urdhrin e Gjykatës.

Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe France-Presse./voa

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *