Die. Nën 24th, 2024

Murati thotë se janë në proces të dizajnimit të pakos së re për rimëkëmbje, fton bizneset për bashkëpunim

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari kanë pritur sot në takim përfaqësuesit e bizneseve vendore, ku diskutuan lidhur me rimëkëmbjen ekonomike të vendit, pas krizës së shkaktuar nga pandemia COVID19.

Sipas komunikatës ministrore, Murati, duke falënderuar përfaqësuesit e bizneseve për pjesëmarrje në këtë takim, tha se MFPT tashmë është në proces të dizajnimit të pakos së re të rimëkëmbjes ekonomike, me ç’rast i ftoi bizneset për bashkëpunim më të ngushtë me institucionet për t’i kapërcyer sfidat që bizneset kanë pasur si pasojë e COVID19, por edhe për të diskutuar lidhur me format e bashkëpunimit për rimëkëmbje ekonomike të vendit.

Më tutje, Ministri Murati u shpreh se ne si ministri me shumë vëmendje jemi duke i analizuar sektorët të cilët janë prekur nga pandemia COVID19, ashtu që përkrahja efektivisht të ndikojë në rritjen e bizneseve, e rrjedhimisht edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e eksportit e zhvillimin ekonomik.

Ministrja Hajdari, gjithashtu potencoi se rimëkëmbja ekonomike është pikë kyçe Planit të Qeverisë Kurti, ku fokus të veçantë do të ketë përkrahja e sektorëve të industrisë dhe prodhimit. Ajo gjithashtu shtoi se Qeveria tashmë është në proces të inicimit të Ligjit për tregti të jashtme, Ligjit për konkurrencë dhe për inspektorat, ligje të cilat do të luajnë një rol vital në ekonominë e vendit.

Së fundi, përfaqësuesit e bizneseve vlerësuan lartë iniciativën e ministrave Murati e Hajdari për gatishmërinë për të diskutuar me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, në mënyrë që të inkuadrojnë kërkesat dhe rekomandimet e tyre në kuadër të pakos së re për rimëkëmbjen ekonomike.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *