Die. Nën 24th, 2024

Sullivan: Izraeli i qëndron propozimit për armëpushim

Jake Sullivan, Këshilltari i Presidentit Joe Biden për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë hodhi poshtë të enjten zërat se Izraeli nuk është i angazhuar plotësisht ndaj propozimit për armëpushim me Hamasin. Presidenti Joe Biden e bëri publik planin në fund të majit në Shtëpinë e Bardhë.

“Izraeli vetë e ka paraqitur këtë propozim. Ai ka kohë që është mbi tryezë. Izraeli as nuk e ka kundërshtuar dhe as nuk është tërhequr prej tij”, tha zoti Sullivan në Itali, ku Presidenti Biden po merr pjesë në takimin vjetor të udhëheqësve të Grupit të Shtatëshes.

“Deri më sot ata qëndrojnë pas propozimit. Nuk mendoj se qëndrimi izraelit është kontradiktor,” shtoi zoti Sullivan.

Zoti Sullivan përsëriti se Hamasi është përgjigjur duke kërkuar ndryshime në propozim dhe se objektivi është “të kuptojmë se si mund ta kapërcejmë hendekun për të arritur një marrëveshje”.

“Synimi është të përpiqemi të arrijmë një përfundim sa më shpejt të jetë e mundur,” u tha ai gazetarëve.

Të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se negociatorët po përpiqen të arrijnë marrëveshjen për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve në Gaza.

Hamasi ka kërkuar disa ndryshime në propozimin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, disa prej të cilave zoti Blinken tha se mund të merreshin në konsideratë, por shtoi se disa të tjera ishin të parealizueshme. Hamasi thotë se “ndryshimet” e tij synojnë garantimin e një armëpushimi të përhershëm dhe tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza.

Propozimi për armëpushim i parashikon këto objektiva, por Hamasi ka shprehur dyshimin se Izraeli mund të mos t’i zbatojë ato.

Lufta që Izraeli filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 37,100 vetëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve në shifrat e të vrarëve.

Palestinezët po përballen me uri të përhapur, pasi lufta ka ndërprerë në masë të madhe furnizimin me ushqime.

Hamasi vrau rreth 1200 vetë kryesisht civilë në sulmin ndaj Izraelit dhe mori peng rreth 250 të tjerë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *