Die. Nën 24th, 2024

Deklarata e Berishës pasi u la ‘non grata’ nga Apeli në Britani, Basha: Ngre pretendime imagjinare ndaj meje pas humbjes së gjyqit

Lulzim Basha reagoi pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha pasi Apeli në Britani la në fuqi vendimin ‘non grata’ ndaj tij.

Postimi i plotë i Bashës:
Në vend që të sqarojë demokratët për pengimin që po i bën opozitës për interesa thellësisht personale, Berisha ngre pretendime imagjinare ndaj meje pas humbjes së gjyqit për heqjen e “Non gratës” nga Britania e Madhe.
Për çdo shqiptar sot është e qartë, dhe u faktua edhe me vendimin e paligjshëm për Partinë Demokratike, se Sali Berisha është në të njëjtin pazar me Edi Ramën, siç ishte me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.
Sali Berishës i duhet vula për të përdorur demokratët si mburojë për hallet e tij dhe familjes së tij; Edi Ramës pushteti për t’u mbrojtur nga i njëjti fat si paraardhësi i tij.
Përrallave të Sali Berishës u ka dalë boja prej tre vitesh. Përmes tyre mban peng Partinë Demokratike për hallin e tij personal, duke vazhduar pazarin e vjetër me Ramën, për të mbajtur status quo-në.
Rruga pa krye ku ka futur veten dhe demokratët është sot e vetmja arsye pse qeveria më e korruptuar në Europë qëndron në këmbë.
Pengimi i ndryshimit, pengimi i Reformës Zgjedhore, sulmet ndaj SPAK, amnistimi i të korruptuarve, pazari për vulën, janë prova të qarta të bashkëpunimit Rama-Berisha, për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve.
Shqiptarët nuk meritojnë një opozitë të mbyllur në ankthin e interesave personale të një individi, i cili sot i bën fresk qeverisë vetëm për hallin e tij.
Qeveria më e korruptuar në Europë meriton të ketë përballë alternativën që u ofron shqiptarëve ndryshim.
Loja hilacake mes Ramës dhe Berishës për të mbrojtur gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet ekonomia, politika dhe demokracia shqiptare, duhet dhe do të marrë fund.
Shqiptarët meritojnë më shumë!

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *