Dëshmitari Kurtesh Fondaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se ishte Hashim Thaçi ai i cili ia komunikoi se me 1998-ën është emëruar si komandant i brigadës 123.
Ai tha se emërimet e niveleve të larta siç kanë qenë komandantët e brigadave janë bërë kryesisht nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm e që sipas tij ishte Bislim Zyrapi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Këtë ditë më 6 tetor 1998, ma ka komuniku emnimin se pata sqaru se emnimet e niveleve të komandantëve të Brigadave janë kryer kryesisht nga Shtabi i Përgjithshëm dhe atë nga Bislim Zyrapi si shef shtabi. Kështu që Hashim Thaçi në këtë ditë ma ka komuniku emërimin dhe me ka thënë ke të drejtën të formosh komandën e brigadës pa pasur nevojë që për ekipin komandues të kërkon verifikim”, tha dëshmitari Fondaj.
Kurtesh Fondaj tha se emërimi i tij ka ardhur për shkak se ka pasur nevojë për konsolidim në radhët e brigadës pasi sipas tij edhe ushtria ka qenë gati e shpërbërë në atë kohë.
“Po ndoshta u flitet kështu me kapërcime nuk mund të kuptohet për faktin se ne tash duhet me sqaru se në shtator 98-ës ne kemi pas një ofensive në rajonin e Badokovës por edhe paraprakisht në muajin gusht të 89 edhe thjeshtë kemi thënë që komanda e brigadës por edhe ushtria ka qenë gati e shpërbeme në atë periudhë. Prandaj duke i pa rrethanat që duhet të rikonsolidohet dhe duhet të punohet në vazhdimin e punës së brigadës atëherë unë mendojë se kjo ka ardh si rezultat kemi fillu me i konsolidu radhët e komandës së brigadës. Të mos harrojmë një fakt që është i vërtetë se Blerim Kuçi si komandant i brigadës atë kohë gjendej në Shqipëri por edhe të gjithë anëtarët e tjerë të brigadës kanë qenë në Shqipëri”, tha dëshmitari.
Dëshmitari Fondaj e përsëriti serish se shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka bërë emërimin e komandanteve të brigadave si dhe anëtarëve të tjerë të komandës.
“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka bë emërimin e komandantëve të brigadave dhe ka dhënë miratimin për anëtarët e komandës së brigadës”, tha ai.
I pyetur se a ka qenë në atë kohë rregull që përgjegjësitë të miratohen nga Shtabi i Përgjithshëm, dëshmitari u përgjigj “Nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, po”.
Gjithashtu, Fondaj u pyet se pse Thaçi ia delegoi atë autoritet gjatë 1998-ës atij.
“Kam bindjen që ai pat besim në mua ndoshta edhe ndoshta shefi i Shtabit ia ka komuniku, por në atë kohë Shefi i Shtabit nuk ka qenë në territorin e Kosovës dhe komunikimi ka qenë. Prandaj edhe komunikimi me atë ka qenë pothuajse i pamundur. Po ndoshta Hashim Thaçi ka pasur komunikim me Shefin e Shtabit për çka unë besoj që po”, u përgjigj dëshmitari në pyetjen e prokurorit Halling.
Vlen të theksohet se dëshmitari tha se kanë ekzistuar shtabe rajonale para se të krijohen brigadat.