Die. Nën 24th, 2024

Hoteleria me humbje të mëdha, s’ka datë konkrete për hapjen e sallave të dasmave

Sektori i hotelerisë dhe turizmit kanë pasur dëmtim të resurseve deri në 90 për qind për shkak të pandemisë me koronavirus dhe institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak për t’u dalë atyre në ndihmë.

Vetëm 3 milionë euro iu ofruan këtyre sektorëve, të cilët përfshijnë 20 mijë biznese, që i bie diku 130 euro mbështetje financiare për biznes.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës Baki Hoti tha për Kosovapress se gjatë pandemisë kanë pësuar humbje të mëdha dhe shuma e ndarë buxhetore për këtë sektor në pakon e rimëkëmbjes ka qenë shumë e vogël.

Ai tha se në pakon e re të rimëkëmbjes kanë kërkuar të mos u ndahen mjete buxhetore, por të zhvillohet turizmi në Kosovë, gjë e cila do të ndikonte që të kenë në shumë përfitime për bizneset.

Hoti: 3 milionë euro për 20 mijë biznese

“Ne si Union i Turizmit të Kosovës kemi kuptuar që diku kemi vlera 90% sektorë të cilët janë dëmtuar. Sektori i akomodimit, ai i hotelerisë ka një dëmtim gati 90%, pastaj pjesa e guidave turistike, të cilat nuk kanë punuar fare dhe faktikisht nuk janë mbështet nga institucionet, jo vetëm por i gjithë sektori i agjencioneve turistike. Këta operatorë, sektori i agjencioneve transportuese dhe sektori i gastronomisë që sadopak ka punuar edhe pse ka pasur kufizime të jashtëzakonshme… Në pakon për rimëkëmbje të sektorit, sektorit të turizmit iu ka ofruar 3 milionë euro, një mbështetje ku janë përfshirë diku rreth 20 mijë biznese që kanë qenë edhe pjesa e sallave të dasmave, pjesa e pishinave dhe e përpjesëtojmë atë, i ka ra diku rreth 120-130 euro për çdo biznes që t’ia japim dhe ka qenë e papranueshme nga ana jonë”, tha Hoti.

Në pakon e re të rimëkëmbjes që po hartohet nga Qeveria, UTK në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësise (MINT) kanë propozuar që të mos ndahen mjete buxhetore për bizneset e këtyre sektorëve, por të investohen në zhvillimin e turizmit dhe sjelljen e turistëve në vendin tonë.

Hoti: Të zhvillohet turizmi dhe të vijnë turistë në Kosovë

“Është duke u punuar për një pako për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit. Ministria dhe qeveria janë duke e hartuar dhe UTK me kërkesë dhe në bashkëpunim me MINT dhe me rekomandim të vetë ministres Rozeta Hajdarit ne kemi përpiluar një dokument prej 20 faqesh, ku kemi dhënë rekomandimet tona se si të zhvillohet ky sektor dhe çka duhet bërë dhe sa do të kushtojë kjo fazë e kësaj rimëkëmbjeje. Nuk kemi kërkuar dhe nuk kemi shkuar tek ajo që të kërkojmë t’u japim mjete buxhetore, pra para t’u japin bizneseve, por që të shikojmë një alternativë tjetër që është shumë e mirë, dhe të kontribuojmë për zhvillimin e turizmit dhe sjelljen e turistëve në Kosovë”, tha Hoti.

Ndërkohë që ishte thënë se do të bëhej e ditur edhe data se kur do të lejohej hapja e sallave për dasma, Hoti thotë se ende nuk ka një datë konkrete për hapjen e këtij sektori dhe për fillimin e këtij sezoni.

Hoti: Ende nuk ka një manual për salla të dasmave

“Ne jemi pjesë e ekipit punues në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe manualet i kemi dërguar te Ministria e Shëndetësisë dhe aty ata janë duke i analizuar, duke i shqyrtuar. Besoj dhe uroj që do të bëhet më e mira e mundshme që ky sektor të hapet në përgjithësi, edhe sektori i dasmave për shkak se janë shumë biznese dhe kanë ndikim shumë të madh, por edhe njëherë po e potencoj mbi të gjitha është mbrojtja e shëndetit”, tha Hoti.

Ndryshe, sektori i turizmit është ndikuar rënd në kohën e pandemisë COVID-19, me një rënie të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë rreth 70 për qind dhe rënie të të hyrave nga ky sektor mbi 90 për qind. Sektori i guidave është sektori më i prekur me 82. 71 për qind në pandemi, pasuar nga sektori i akomodimit me 74.84 për qind, pastaj sektori i transportit ajror dhe rrugor me 71.26 për qind. Sektori i agjencive turistike po ashtu ka shënuar rënie 66 për qind dhe gastronomia 55.53 për qind.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *