Die. Nën 24th, 2024

Zyrapi: Çështja e të burgosurve nuk ishte kompetencë e drejtorisë operative por e komandanteve të zonave

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, në seancën e sotme dëshmitari Bislim Zyrapi tha se çështja e të burgosurve nuk ishte kompetencë e drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm.

Por, sipas tij, autoriteti i tij i takonte komandanteve të njësive apo zonave që vepronin në një territor të caktuar e që më pas merrej edhe sektori juridik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Roli dhe kompetenca e drejtorisë operative e cekem edhe më herët nuk ishte të merret me këto çështje. Ajo ishte që të merret me operacione. Numër 1 është operacionazimi i njësive, përgatitja e njësive, pastaj të organizon mbrojtje ose sulmet të aspektit të gjerë të cilët janë aspekte të operacioneve operative dhe strategjike, pra në atë se çka ndodhë brenda për brenda saj. Zënë robër e ajo të gjitha është në kuadër të komandantit të njësisë që vepron në atë territor dhe që e ka marrë atë operacion. Nuk është e drejtorisë operative që të merret me atë çështje dhe me burgosjen e zënë robër. Është sektori juridik që merret me atë çështje dhe komanda adekuate e cila është duke vepru në atë territor”, tha dëshmitari Zyrapi.

closevolume_off
Përpara kësaj, u diskutua për një operacion në Bardh të Madh (ish-Ballaqefci) në të cilën pjesëtarët e UÇK-së-së kishin marrë kontrollin e minierës sipërfaqësore të thëngjillit për çka edhe pretendohet se kishin burgosur disa minatorë serbë.

“Nga sa me kujtohet nuk kam marrë asnjë info nga zëvëndëskomandanti. Unë në atë kohë e kam pas për detyrë të merresha vetëm me aspekte ushtarake”, tha dëshmitari në përgjigje të pyetjeve të avokatit Roberts.

Ai rikonfirmoi se është e drejtë të thuhet se autoritetin për të burgosurit në luftë e kishte komandanti i zonës.

Në fillim kur Zyrapi kishte hyrë në Kosovë në 98-ën ai tha se kishte shumë shtab lokale të cilat ishin në nivel shtabi e që udhëheqësit e tyre i bindeshin personat që t’i kapnin armët.

“Po në atë kohë”, u përgjigj dëshmitari kur u pyet se a është e drejtë të thuhet që në atë kohë ata nuk e ndjenin për detyrim t’i përgjigjeshin ndokujt.

Ai pohoi se këta persona kishin njohuri e përvojë të kufizuar sa i takon luftës. Gjithashtu, ai konfirmoi se kishte komunikuar me disa nga shtabet lokale gjatë kësaj kohe sa ishte në Kosovë.

Ndonëse kishte dhënë udhëzime dhe këshilla, dëshmitari pohoi se ata nuk e kishin për detyrim që të zbatonin atë se çfarë kishte thënë ai.

Vlen të theksohet se në pyetjet e Roberts, dëshmitari u përgjigj se ka qenë pjesëtarë i armatës, jugosllave, boshnjake e po ashtu edhe në atë të Kosovës.

Ndryshe, Roberts e njoftoi dëshmitarin se kundërpyetjet e tij do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *