Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 212 ka miratuar rregulloren e re për procedurat e përzgjedhjes së drejtorëve, zëvendësdrejtorëve, mësimdhënësve, sekretarëve në institucionet edukativo-arsimore në tërë territorin e Kosovës.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në mbledhjen e qeverisë tha se kjo rregullore do të krijojë një sistem efikas për rekrutimin e këtyre pozitave.
Poashtu ajo shtoi se punësimet me këtë rregullore do të adresojnë problemet ndër vite, siç janë orët e lira dhe qindra të tjera të humbura, zëvendësimet e shpeshta.
“Kjo rregullore është në funksion të zbatimit të ligjit për zyrtarët publik. Rregullorja synon të krijoj një sistem efikas për rekrutimin e të gjitha pozitave të lartcekura dhe synon të përmirësojë sistemin aktual të rekrutimit, duke ju përgjigjur kërkesave të shkollave si dhe kërkesave në kohë reale në nivel vendi. Punësimet në këtë formë do të adresojnë problemet e përsëritura për vite, si orët e lira dhe qindra orë të humbura mësimore, zëvendësimet e shpeshta, raportin e pabarabartë mësimdhënës-nxënës etj”, tha Nagavci.