Die. Nën 24th, 2024

Lëvizshmëria Ushtarake në Korridorin e VIII, Shqipëria, Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë dokumentin

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nënshkroi gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Uashington, Letrën e Qëllimit për sigurimin e Lëvizshmërisë Ushtarake përgjatë Korridorit VIII Pan-Europian, me homologët e tij të Italisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Përmes këtij dokumenti, shtetet angazhohen të marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar maksimumin e fleksibilitetit të lëvizshmërinë ushtarake në territoret e tyre në mbështetje të implementimit të agjendës së NATO-s për shkurajimin dhe mbrojtjen në zonën euro-atlantike.

Një angazhim i tillë do të shërbejë jo vetëm për misionet NATO, por edhe ato në kuadër të Bashkimit Europian.

Në thelb ky dokument i firmosur nga ministri Niko Peleshi, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ministri bullgar i Mbrojtjes, Atanas Zaprianov dhe ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Vlado Misajlovski, u jep mundësi trupave ushtarake NATO-s të zhvendosen shpejt dhe lirshëm nga Deti Adriatik në Detin e Zi si dhe të depërtojnë në thellësi të Ballkanit, nëse do të jetë e nevojshme.

Ideja për të patur një dokument të tillë, i cili do të garantojë lëvizshmërinë përgjatë vendeve që preken nga Korridori VIII Pan-Europian është propozuar nga Shqipëria, e cila drejtoi të gjithë procesin e negocimit dhe koordinimit.

Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, përgjatë të gjithë procesit ndërvepruan dhe u angazhuan për ta finalizuar këtë nismë gjatë punimeve të Samitit të Uashingtonit.

Nënshkrimi i Letrës së Qëllimit vjen në mbështetje të vizionit që Shqipëria ka për Korridorin VIII si edhe të master-projektit për ndërtimin e Bazës Detare NATO në Porto Romano, që do të shërbejë si porta kryesore hyrëse në Ballkanin Perëndimor dhe më tej, në Detin e Zi.
Letra e Qëllimit do të rrisë vizibilitetin e projekteve të përbashkëta si dhe rëndësinë gjeostrategjike të tyre për të gjithë rajonin.

Top Channel

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *