Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ministren e Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, e cila po viziton për herë të parë shtetin tonë, vizitë kjo që po zhvillohet në 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Kosovës dhe Japonisë.
Ai i uroi mirëseardhje në Kosovë, në kryeqytet, në këtë vizitë historike për vendin tonë, duke shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen, ndihmën dhe rolin e Japonisë në botë, në rajonin tonë dhe Republikën e Kosovës, dhe tha se mezi pret që të diskutojnë dhe hulumtojnë bashkë mënyrat se si mund të thellojnë dhe forcojnë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.
Ministrja Kamikawa u shpreh e nderuar që është ministrja e parë e Punëve të Jashtme të Japonisë që po e viziton Kosovën. Në krye të herës së takimit bilateral, ajo shprehu falënderimin për vizitën dhe pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në funeralin shtetëror në nderim të ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe. Ministrja Kamikawa theksoi se paqja dhe stabiliteti janë vendimtare për Evropën dhe se vizita e saj në rajon, fillimisht në Serbi, pastaj në Bosnje dhe Hercegovinë dhe tash në Kosovë është në këtë funksion.
Gjatë takimit bilateral ndërmjet dy delegacioneve, u diskutua rreth marrëdhënieve dypalëshe, projekteve të bashkëpunimit dhe asistimit dhe mundësive për investime të kompanive japoneze, veçanërisht në sektorin e energjisë së ripërtrishme dhe në infrastrukturën hekurudhore. Kryeministri veçoi mbështetjen e Japonisë përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) në menaxhimin e mbeturinave, menaxhimin dhe monitorimin e ndotjes së ajrit dhe mbështetjen për televizionin publik të Kosovës. Ai falënderoi shtetin e Japonisë për vendimin për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe atyre zyrtare, dhe për mbështetjen në fushën e mbrojtjes përmes trajnimit në Ministrinë e Mbrojtjes së Japonisë të oficerit të Forcave të Sigurisë në Kosovë. Ndër të tjerash, nënvizoi tregimin e suksesit të kompanisë japoneze Harino Mushroom, e cila është një nga fermat më të madhe të kërpudhave shiitake në Evropë, si shembull i mjedisit të përshtatshëm të të bërit biznes në Kosovë, por edhe thirrje për kompanitë tjera japoneze që të konsiderojnë Kosovën si vend atraktiv dhe të sigurt për investime, me sundim të ligjit, stabilitet institucional dhe institucione demokratike.
Kryeministri Kurti dhe ministrja Kamikawa, gjithashtu diskutuan rreth çështjeve rajonale, përfshirë raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut, në kuadër të së cilit kryeministri Kurti tha se është arritur Marrëveshja Bazike, por e cila nga fillimi dhe në vazhdimësi është shkelur në mënyrë të hapur nga Serbia. Gjithashtu, biseduan mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në garantimin e paqes dhe sigurisë, dhe në shërbim të zhvillimit dhe progresit të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.