Çështja Kosovë-Serbi vazhdon të jetë një nga temat më të ndjeshme dhe më aktuale.
Mosarritja e një marrëveshje finale ka bërë që të dyja shtetet të vazhdojnë bisedimet, shkruan “Bota sot”.
Së fundi, delegacionet e të dyja vendeve u takuan në Bruksel ku biseduan për shumë çështje por pa u arritur asgjë konkrete, derisa takimi i radhës u caktuar për datën 25 korrik.
Mirëpo, pavarësisht që një marrëveshje finale nuk ndodhi mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti i Serbisë pas takimit u shpreh se takimi me Kurtin ishte një ndër takimet më të vështira që ka pasur.
Pas kësaj, Vuçiq ditë më parë ka raportuar para deputetëve në Kuvendin e Serbisë mbi rrjedhën e dialogut me Prishtinën dhe situatën në Kosovë.
Vuçiq atje tha se “nuk është koha për pritje të tepërta që nuk janë në përputhje me realitetin që na rrethon”.
“Zvarritja nuk do ta zgjidhë këtë problem. Ne duhet ta zgjidhim këtë problem me përgjegjësi, racionale dhe strategjike. Nuk ka më shumë se 95,000 Serbë dhe jo më shumë se 1,350,000 shqiptarë. Qëndrimi i serbëve ndaj shqiptarëve është 1:15 “, deklaroi ai dhe shtoi se “nuk kemi nevojë për një konflikt të ngrirë”.
Bytyçi: Kurti dhe Osmani arritën ta bindin Vuçiqin që “loja” ka ndryshuar
Analisti politik Adem Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se ka ardhur koha që Vuçiq të kuptojë që Kurti dhe Osmani në mënyrë konstante arritën ta bindin që nuk do të ketë më lëshime për Serbinë.
Gjithashtu, ai theksoi që Serbia duhet të kërkojë edhe falje për gjenocidin që ka kryer në vendin tonë.
“Diskutimi i Presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Parlamentin serb dhe pohimi i tij se e kemi të pa nevojshme që të lëmë Kosovën një konflikt të ngrirë, tregon se Vuçiq ka filluar të reflektojë për ta pranuar një marrëveshje të drejtë paqësore me Kosovën. Kuptohet se që nga ardhja në krye të politikës së Kosovës të Presidentes Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, në mënyrë konstante jo vetëm në takimet më Vuçiqin, por në të gjitha takime tjera ndërkombëtare i kanë kërkuar Presidentit serb njohjen e Kosovës, të kërkojë falje Serbia për krimin e luftës të gjenocidit kundër popullatës civile në Kosovë në luftën e fundit dhe të ballafaqohet Serbia me të kaluarën e saj kriminale”, u shpreh analisti.
Bytyçi më tej thotë se me të gjitha dosjet që ka përgatitur, Kosova do të arrijë të sjellë një marrëveshje paqësore, pasi që Serbia do të detyrohet të bëjë lëshime në mënyrë që të inkuadrohet në BE.
“Gjithashtu z .Kurti dhe zonja presidente Osmani e kanë bërë me dije Presidentin serb Vuçiq, se Kosova është duke e kompletuar dosjen me dëshmi për ta paditur Serbin për gjenocid kundër popullatës shqiptare në Kosovë në luftën e fundit. Natyrisht se të gjitha këto nuk ka pasur mundësi t’i injorojë aq lehtë Aleksandër Vuçiq, por rrethana më relevante e cila do ta detyrojë Serbinë që deri në fund të vitit ta pranojë një marrëveshje paqësore me Kosovën edhe sikur mos t’i konvenonte Serbisë, ka të bëjë me pamundësinë e anëtarësimit të Serbisë në BE, njëra ndër interesat më madhore të shtetit serb në të ardhmen”, potencoi Bytyçi.
Tutje, ai shton se me ndërhyrjen e Amerikës supozohet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, një konflikt i ngrirë nuk do t’i konvenonte as Ballkanit, pasi që do ta vinte në pikëpyetje sigurinë e Ballkanit.
“Çdo prologim i anëtarësimit të Serbisë në BE, do të ishte një shok për ekonominë e madhe dhe të shumëllojshme të shtetit serb, e cila pa ndihmën e institucioneve financiare Evropiane nuk do të mund të përballonte mbajtjen e trendit normal të zhvillimit ekonomike… Supozohet se deri në fundin e këtij viti me ndërhyrjen Euro Amerikane, Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje paqësore sepse mbetja e Kosovës një konflikt i ngrirë në mes Serbisë dhe Kosovës e vënë në pikëpyetje paqen dhe sigurinë në tërë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë herët a vonë, por SHBA, do ta shlyenin përfundimisht një mundësi të tillë duke vendosur përfundimisht paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Evropës”, theksoi Bytyçi për “Bota sot”.
Ahmeti: Kurti tashmë ka strategji për dialogun me Vuçiqin
Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se zyrtarët serb tashmë e din se pavarësia e Kosovës është fakt i kryer por përmes dialogut me Serbinë mundohet privilegjojnë komunitetin serb në Kosovë.
ImageHidajet AhmetiFOTO GALERI
Ai shton se ata mundohen të amnistojnë politikën gjenocidale të Millosheviqit.
“Mendoj se zyrtarët e lartë serb e kanë bindjen e plotë se pavarësia e Kosovës është fakt i kryer, por mundohen që përmes dialogut të privilegjohen sa më shumë komunitetin serb që jeton në Kosovë përmes mekanizmave të ndryshëm. Retorika e zyrtarëve serb është tendencë për të amnistuar politikën gjenocidale e kriminale të regjimit te Millosheviqit”, thotë analisti.
Ahmeti më tej thotë se Kurti dhe Osmani janë të vendosur për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë por jo për të iu nënshtruar Serbisë.
Sipas njohësit të çështjeve politike, qeveria tashmë ka strategji dhe duhet të vazhdohet të zbatohet.
“Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani si duket janë shumë të vendosur që ta normalizojnë dialogun në kuptimin strategjik duke ndryshuar qasje nga nënshtrime në defanzivë. Këto parime duhet të mbahen e jo të vazhdohet një dialog pa strategji e parime vetëm e vetëm që Serbia të afrohet në mekanizmat ndërkombëtar e shteti i Kosovës të dëmtojë substancën e tij përmes koncesioneve në dialog”, përfundon Ahmeti për “Bota sot”.