Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim për protestën që sot u mbajt nga serbët në veri të Mitrovicës në shenjë kundërshtimi për hapjen e urës së Ibrit për trafik.
Policia ka thënë se protesta ka përfunduar e qetë dhe protestuesit janë shpërndarë.
Policia ka bërë të ditur se ata janë përkujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit para, gjatë dhe deri në përfundim të protestës.
Njoftimi i plotë:
Angazhimet policore në mbarëvajtje të sigurisë
Prishtinë, 07 gusht 2024
Sot, rreth orës 11:00, në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë Veri ka filluar të mbahet protesta e paralajmëruar e disa qytetarëve të nacionalitetit serb, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën dhe deklarimet për hapjen e urës për qarkullim.
Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit para, gjatë dhe deri në përfundim të protestës.
Rreth orës 12:00, protesta ka përfunduar e qetë dhe protestuesit janë shpërndarë, përderisa njësitet policore kanë vazhduar me detyrat e rregullta policore.