Sht. Nën 23rd, 2024

“Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”, tema e takimit që pritet të nisë në 11:00 në Kuvendin Komunal te Mitrovices ne veri

Komuna e Mitrovicës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, organizon sot një “takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale”, të cilin e paralajmëroi të mërkurën kryeministri Albin Kurti.

“Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”, kjo do të jetë tema e takimit që pritet të nisë në 11:00 në Kuvendin Komunal, siç ka shkruar Kurti.

Kurti i ka ftuar serbët që të marrin pjesë në këtë diskutim në të cilin tha se ata “do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

KFOR-i e ka shtuar praninë në dhe përreth urës së Ibrit në Mitrovicë, pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se ajo do të hapet.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë paralajmëroi të martën se nuk do të hezitojë të përballet me çfarëdo zhvillimi që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal.

“Ne nuk do të hezitojmë të përballemi me asnjë zhvillim që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke respektuar plotësisht mandatin tonë që buron nga OKB-ja. Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konstant gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të bëhet përbrenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha KFOR-i në një komunikatë për media.

Kurti, ndërkaq, insiston se ura do të hapet.

“Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, shkroi ai dje.

Paraditen e së martës, KFOR-it tha se komandanti Ozkan Ulutash ishte njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha se një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër do të ndodhë së shpejti.

Disa serbë u mblodhën dje për të protestuar kundër hapjes së urës.

Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka angazhuar tashmë një kompani, të cilës ia ka dhënë një kontratë 9 mijë e 640 euroshe për t’ia bërë një test urës që të përcaktohet kapaciteti mbajtës i strukturës së saj, para se ajo të hapet për qarkullim të automjeteve.

Sipas kontratës, “IPE-PROING” në fund do t’i prezantojë vlerat e matjeve nga testimi dhe do ta bëjë një vlerësim për masat që duhet të merren.

Të mërkurëm përfundi urës, aty ku ishin ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi filloi ngjyrosja e urës nga disa punëtorë.

KFOR-i tregoi se po mban trupa në atë urë dhe po kryen patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri “për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale”.

Vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë bërë të ditur ditë më parë se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë kohë. Këtë e bëri të ditur ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier para mediave të premten e javës së kaluar, pasi ambasadorët ishin në Qeveri për një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Bashkimi Europian thotë se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *