Die. Nën 24th, 2024

Hamza takon udhëheqësin e ri të diplomacisë amerikane në Ballkan, Alexander Kasanof

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, njëherësh kandidat për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka zhvilluar një sërë takimesh.

Hamza përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka treguar se ka zhvilluar një takim në State Department me udhëheqësin e ri të diplomacisë amerikane në Ballkan. Alexander Kasanof.

Ai tha që është i nderuar që është lideri i parë në Ballkan që e ka takuar Kasanofën, në të cilën takim tha që e ka uruar për postin e ri.

“Pata takim të rëndësishëm dhe të ngrohtë në State Department, me udhëheqësin e ri të diplomacisë amerikane në Ballkan, Alexander Kasanof. Jam tejet i nderuar që jam lideri i parë nga Ballkani që po e takoj z. Kasanof, prej kur ka ardhur në detyrën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit për Ballkanin Perëndimor. Eksperienca unike e tij e bëri shumë të dobishëm diskutimin e sfidave në peizazhin e ri gjeopolitik botëror. Në takim ishte edhe Drejtoresha për Evropën Juglindore, Colleen Hyland, e cila ka shërbyer në ambasadën amerikane në Kosovë dhe është një mbështetëse e madhe e jona.

Në këtë takim tepër të rëndësishëm dhe përmbajtësor, Kasanof e urova edhe për postin e ri”, ka shkruar Hamza.

Ai tha se u pajtuan për nevojën thelbësore për bashkëpunim, koordinim dhe parashikueshmëri në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në.

“Ndërsa unë e prezantova planin e qeverisjes sime të fokusuar në zhvillim të hovshëm ekonomik, me investime strategjike, me rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në NATO, ku mbështetja e SHBA-së do të jetë përcaktuese.

Kemi shumë punë për të bërë dhe kemi humbur shumë kohë, por jam më i bindur se kurrë se në Amerikë i kemi shtyllat kryesore të përkrahjes dhe mbrojtjes. Takimin e përfundova me optimizëm që konfuzioni politik i qeverisjes në Kosovë dhe gabimet e njëpasnjëshme medoemos do të revidohen, që të fokusohemi në rezultatet konkrete për qytetarët tanë dhe jo në krijim të dramave që nuk sjellin asgjë, pos izolim dhe injorim”, ka shkruar ndër të tjera Hamza në Facebook.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *