Kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, Sejdi Hoxha ka thënë se rikthimi i fuqishëm politik i PDK-së, do të varet shumë nga Konventa e 3 korrikut.
Hoxha përmes një postimi në Facebook, thotë se aq sa është e rëndësishme zgjedhja e kryetarit, po aq është e rëndësishme se kush do të jenë nënkryetarët.
“Sa është e rëndësishme se kush do të zgjidhët Kryetar i Partisë, është po aq e rëndësishme se kush do të jenë nënkryetarët, anëtaret e kryesisë dhe lidershipi që do ta udhëheq partinë. Ndërtimi i ekipit politik ka rëndësi të madhe prandaj në lidershipin e partisë duhet te përfshihen njerëz të moshave, gjinive dhe profesioneve të ndryshme, të rajoneve të ndryshme te cilët kanë të kaluar të ndritur”, thotë Hoxha.
Tutje, ai ka thënë se ” lidershipi i partisë i cili derivon nga konventa e 3 korrikut duhet te jetë ekipi më i mirë politik, krahasuar me të gjitha partitë tjera politike në Kosovë, nëse PDK mund ta ndërtojë një ekip të tillë atëherë e ka të sigurt rikthimin e shpejtë si parti e parë politike në vend”.
“Asnjë parti politike nuk ka në gjirin e saj ekspert më të mirë se PDK-ja, por varet nga ne se sa mund të ju krijojmë hapësirë dhe sa mund t’i mobilizojmë ata. Me shpresë për 3 korrikun”, deklaron Hoxha.
Ndryshe, si kandidatë të mundshëm për kryetar janë përmendur: Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi, Vlora Çitaku dhe Bedri Hamza.
Telegrafi ka provuar të marrë konfirmimin për kandidim nga të lartë përmendurit, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur.