Gjykata Kombëtare e Spanjës vendos të ekstradojë drejt Shqipërisë të shumëkërkuarin nga autoritetet shqiptare, Lulzim Berishën.
Gjykata Kombëtare e Spanjës ka pranuar kërkesën e prokurorisë spanjolle për ekstradim. Gjykata Kombëtare e Spanjës e ka marrë vendimin ditët e fundit, pas gjyqit të parë që u zhvillua më datë 2 korrik.
Lulzim Berisha, i cili përfaqësohet nga dy avokatë spanjollë, kërkoi rreth një muaj më parë gjykatës që të mos dorëzohet në Shqipëri, pasi sipas tij në vendin tonë i rrezikohet jeta dhe ka frikë nga një hakmarrje.
Sipas prokurorisë spanjolle Lulzim Berishës i rrezikohet jeta vetëm jashtë burgut, dhe duke ua dorëzuar Lulzim Berishën, autoriteteve shqiptare, ai nuk do të rrezikohet.
Lulzim Berisha ka të drejtën për të apeluar vendimin e Gjykatës Kombëtare në Gjykatën e Lartë të Spanjës
Lulzim Berisha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Berisha u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para afatit nga trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit Durrës. 4 vite më pas, Berisha është shpallur në kërkim nga SPAK, pasi akuzohet për ngjarje të tjera kriminale, vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut. Dosja për vrasjen e bujshme të ndodhur në 26 Shkurt të vitit 2005 u hap pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili pretendon se gjithçka u bë nga Plarent Dervishaj dhe Indrit Taullai me urdhër të Lulzim Berishës. Lulzim Berisha “ra” edhe në sitën e OFL, e cila njoftoi se ai është subjekt i paketës Anti-KCK dhe se i është dërguar formulari i deklarimit të pasurisë dhe burimin e origjinës.