Die. Nën 24th, 2024

LVV: E pranueshme cilado datë që e cakton presidentja për zgjedhje parlamentare

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se cilado datë që vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare është e pranueshme për këtë parti.

Kështu ka deklaruar sot deputetja e LVV-së Arjeta Fejza para mediave, pas një konference që ky subjekt politik kishte për çështjen e subvencionimit të librave shkollorë.

“Ne e kemi thënë vazhdimisht që kemi qenë të gatshëm për zgjedhje dhe sidomos tani që jemi në gjashtëmujorin e fundit të qeverisjes, për neve data e përcaktuar nuk është shumë e rëndësishme, sa është e rëndësishme gatishmëria për të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo i mbetet pastaj presidentes për ta caktuar. Ne kemi dërguar normalisht propozimin tonë, vendimi përfundimtar sigurisht që i takon presidentes. E kemi dërguar propozimin, por cilado datë që vendoset nga presidentja është e pranueshme”, deklaroi ajo.

Kujtojmë se siç u raportua sot, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar 2 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Presidentja e vendit Vjosa Osmani konfirmoi dje se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër, Albin Kurti, i cili nuk mori pjesë në takimin konsultativ, ia ka dërguar tashmë me shkrim datën e preferuar nga subjekti i tij për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëkohësisht kryeministër, më ka njoftuar me shkrim lidhur me datën e preferuar të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Osmani, pa treguar se cili ka qenë propozimi i Kurtit.

Ndërsa, në anën tjetër, partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, si datë për zgjedhjet e kanë dhënë 26 janarin.

Ditë më parë e para e shtetit priti në takim kryetarët e partive politike parlamentare për konsultimin për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Presidentja Osmani bëri të ditur se sipas ligjit janë katër data, 26 janari, 2, 9 dhe 16 shkurti, pasi parashihet që ato të mbahen të dielave.

“Sipas Ligjit, janë katër data për zgjedhje, 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti, duke qenë që e parasheh Ligji vetëm të dielave. Diskutimi ishte vetëm në kontekst të këtyre datave. Nuk kishte insistim të tepërt, kishte preferenca. Disa parti preferojnë 26 janarin, disa të tjera 9 shkurtin dhe 16 shkurtin, dhe kishte nga ato që s’kishte preferencë, se cilado datë u përshtatej”, kishte deklaruar Osmani pas takimit.

Pas takimit kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, bëri të ditur se Osmani ka propozuar 26 janarin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të vitit 2025.

Ashtu si PDK-ja, edhe LDK-ja e ka parë më të përshtatshëm 26 janarin për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të rregullta.

Propozimi i njëjtë për datë erdhi edhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas tij, 26 janari është data e parë në përputhje me afatet ligjore.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *