Xhevdet Millaku që u vra mbrëmë nga kunata e tij, Nazmije Millaku në rrugën “Ismet Krasniqi”, në Prishtinë, punonte si zyrtar i transportit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), shkruan Gazeta Express.
Kjo është bërë e ditur nga vet PZAP.
Aty Millaku punonte nga viti 2010.
“Z. Millaku ka punuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nga viti 2010, si Zyrtar i Transportit. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në ndërkohë, Mulë Desku, koleg dhe mik i viktimës ka thënë se ai është kujdesur për fëmijët e vëllait dhe të dyshuarës më shumë se të tjerët. Kjo pasi i ndjeri sipas Deskut nuk kishte fëmijë.
“E ky për fëmijët e vëllait e për familje muj me thanë me përgjegjësi në bazë të komunikimit që e kemi pasë të përditshëm, që ma shumë o kujdesë ky se ata të tjerët”, ka thënë Desku Klan Kosova.
“Unë isha në familje, dhe ata, fëmijët e vëllait dhe të dyshuarës qajshin [për Millakun]”.
Millaku dyshohet se u vra mbrëmë nga kunata e tij, Nazmije Millaku.
Sipas prokurorisë, vrasja dyshohet të ketë ndodhur për probleme familjare.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë, iu njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime te Renda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty në bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajete është dërguar në IML për obduksion, ndërsa e dyshuara (56 vjeç) është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”, sipas KPRK-së, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale.”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Ulaj tha se nga hetimet preliminare motivi i vrasjes dyshohet se janë problemet familjare.
Ajo shtoi se do të kërkojnë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës.
“Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes se këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë te gjitha rrethanat e këtij rasti. Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do te paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente.”
Ndërkaq në raportin e sotëm të Policisë thuhet se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe 10 gëzhoja dhe katër predha.
“VRASJE E RËNDË- Prishtinë / 20.08.2024 – 19:00. Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”