Die. Nën 24th, 2024

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që të miratohet pjesërisht kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për konstatimin gjyqësor të listës së fakteve për të cilat ka vendim në rastin ndaj Salih Mustafës pasi Prokuroria beson që mund të jenë relevante edhe në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që të miratohet pjesërisht kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për konstatimin gjyqësor të listës së fakteve për të cilat ka vendim në rastin ndaj Salih Mustafës pasi Prokuroria beson që mund të jenë relevante edhe në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kjo është bërë e ditur përmes konferencës javore të DhSK-së, nga zëdhënësi Michael Doyle i cili tha se ky vendim është marrë me 21 gusht.

“Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për konstatim gjyqësor të listës së fakteve për të cilat ka vendosur gjykata në çështjen Salih Mustafa, që Prokuroria beson se janë relevante edhe për çështjen Thaçi dhe të tjerë”, tha Doyle.

Ai tha se Trupi gjykues ka lëshuar edhe vendim lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve ku është miratuar edhe një mocion i prokurorisë që të pranohen tri deklarata të dëshmitarëve pasi ata të merren në pyetje edhe nga mbrojtja.

Seancat rinisën këtë javë në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Të hënën dhe të martën dha dëshmi ish-oficeri i ushtrisë së SH.B.A.-së, Stiven Rasëll (Steven Russell). Të martën pasdite, dëshmitari i 79-të i Prokurorisë dha dëshmi në sallën e gjyqit me masa mbrojtëse. Sipas përmbledhjes që u lexua në sallë, dëshmitari u kyç në UÇK rreth marsit 1998 dhe shërbeu në vende të ndryshme, ku stërviti ushtarë të UÇK-së dhe ushtroi detyrën e komandantit. Dëshmitari e përfundoi dëshminë dje. Seanca e ardhshme në çështjen Thaçi dhe të tjerët është caktuar për të hënën, 26 gusht, në orën 09:00.

Doyle gjithashtu njoftoi edhe për miratimin e trupit gjykues të kërkesës së Kadri Veselit për ndërprerjen e përfaqësimit juridik të tij nga avokati Ben Emmerson. Ai tha se gjykatësi iu janë referuar edhe një letre të Veselit ku ai kishte njoftuar se kjo është ‘një ndërprerje e parevokueshme e marrëdhënies klient-avokat”.

“Më 21 gusht, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Kadri Veselit për përfundimin para kohe të përfaqësimit të tij nga mbrojtësi Ben Emerson. Gjykatësit iu referuan një letre të z. Veseli ku kërkoi tërheqjen e mbrojtësit “për shkak të prishjes së parevokueshme të marrëdhënies klient-avokat” si dhe një letre të z. Emerson, me të cilën njoftoi Administratoren për tërheqjen e tij të parakohshme si mbrojtës. Gjithashtu, gjykatësit morën parasysh edhe njoftimin e Administratores së kishte marrë një kërkesë nga z. Veseli për emërimin e z. Rodni Dikson (Rodney Dixon) si kryembrojtësin e tij të ri”, tha Doyle.

Në po të njëjtën çështje gjyqësore, Doyle njoftoi se është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit përmes dy vendimeve të ndara me 14 gusht. Sipas tij, është konstatuar se ekziston rreziku që të akuzuarit të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor, të kryejnë krime të tjera. Ai tha gjithashtu se për Thaçin, gjykatësit kanë rikujtuar konstatimet e tyre të mëparshme se i akuzuari iu ka dhënë vizitorëve të paprivilegjuar informacione që kanë dal gjatë dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtur.

Duke folur për punën e gjykatës për një muaj sa nuk kishte seanca, Doyle tha se Supremja e ka kthyer sërish çështjen e Salih Mustafës në Apel për të rishikuar dënimin prej 22 vitesh ndaj tij dhe se më pas është caktuar paneli i Gjykatës së Apelit për caktimin e dënimit të ri ndaj Mustafës.

Zëdhënësi i DhSK-së, tha se me 26 korrik iu është vazhduar paraburgimi edhe Ismet Bahtjarit pasi është konstatuar se mund ët arratiset, t’i pengojë procedurat gjyqësore ose edhe të kryej krime të tjera. Ndërsa, me 5 gusht iu është vazhduar paraburgimi Sabit Januzit duke evidentuar rreziqet e ngjashme me ato të Bahtjarit.

Në të njëjtin rast, sipas Doyle është rrezuar mocioni i mbrojtjes ku pretendoheshin mangësi në aktakuzë veçanërisht me akuzën për frikësim përmes premtimit ode dhuratës apo çfarëdo forme të tjetër të përfitimit.

Kurse, në çështjen ndaj Pjetër Shalës, Doyle tha se është miratuar pjesërisht kërkesa e mbrojtjes për t’u zgjatur afati për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër aktgjykimit të Themelores e cila e dënoi Shalën me 18 vjet burgim. Ndërsa, kërkesën e njëjtë e cila u bë më pas me 8 gusht, e rrezoi paneli i Apelit.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi/

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *