Enj. Sht 19th, 2024

KQZ ka vendosur që në zgjedhjet e 9 shkurtit të përdoret ngjyra matrikuluese (dukshme) për shënjimin e personave që e shfrytëzojnë të drejtën e votës

KQZ ka vendosur që në zgjedhjet e 9 shkurtit të përdoret ngjyra matrikuluese (dukshme) për shënjimin e personave që e shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të evitohet votimi i shumëfishtë. Ky vendim po shqyrtohet nga Agjencia për Informim dhe Privatësi për shkelje të mundshme të privatësisë. OSBE e ka këshilluar KQZ’në që të konsultohet me të gjitha palët e përfshira në zgjedhje për këtë çështje.

Në qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që ngjyra e padukshme të zëvendësohet me ngjyrë të dukshme. Pra nëse dikush shkon për të votuar, para se ta hedhë votën do t’i shënjohet gishti me ngjyrë të dukshme, në mënyrë që ai person të mos votojë më shumë se një herë. Kjo u cilësua si shkelje e privatësisë, për çka po hetohet nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Nga OSBE i kanë thënë median se kjo ngjyrë përdoret për të parandaluar votimin e shumëfishtë, e kështu ruhet integriteti i procesit zgjedhor.

Mirëpo sipas misionit kësaj risie duhet t’i paraprijë një konsultimi të hapur dhe të gjerë me të gjitha palët e zgjedhjeve dhe e ka inkurajuar KQZ’në ta bëjë këtë.

“Ngjyra e dukshme ose e pashlyeshme zakonisht përdoret si masë për të parandaluar votimin e shumëfishtë dhe për këtë arsye kontribuon në ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor. Si çdo risi në procesin zgjedhor, asaj duhet t’i paraprijë një konsultim i hapur dhe i gjerë me të gjitha palët e zgjedhjeve. Andaj ne inkurajojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili është përgjegjës për zbatimin e masave që sigurojnë më së miri integritetin e zgjedhjeve në Kosovë, që të konsultohet me të gjitha palët e interesit në zgjedhje”, kanë thënë nga OSBE për median.

AIP po shqyrton nëse ka shkelje të privatësisë

Nga Agjencia për Informim dhe Privatësi kanë thënë se do të marrin një vendim pas shqyrtimit të plotë.

“Pas shqyrtimit të plotë dhe në përputhje me gjetjet që do t’i kemi gjatë inspektimit, Agjencia do të marrë vendim, duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thotë komisionarja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku, për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, vendimi mund të përfshijë “rekomandime për ndryshimin e praktikave zgjedhore, masa për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve ose veprime të tjera, në përputhje me kompetencat dhe autorizimet ligjore të Agjencisë”.

Sogojeva Dermaku nuk mund të specifikojë se kur mund të pritet epilogu i gjetjeve të AIP-it, por thotë se brenda ditësh.

Media ka dërguar pyetje në adresë të AIP për të parë nëse është marrë ndonjë vendim për këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

“Regres, shkelje e privatësisë”

Një javë pasi KQZ mori vendimin për ngjyrën matrikuluese, drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, kishte thënë se ai vendim është regres.

“Ne siç kemi të drejtë të marrim pjesë në një proces zgjedhor, po ashtu e ruajmë dhe të drejtën të mos marrim pjesë në zgjedhje. Është e drejtë kushtetuese e garantuar. Këtë të drejtë se kemi pasur të cenueshme me ngjyrën e padukshme e cila mund të shihej vetëm me dritë ultraviolete, duke mbrojtur kështu privatësinë tonë si votues.”

Ai ka dhënë detaje për ngjyrën matrikuluese që pritet të përdoret në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Ngjyra matrikuluese është e dukshme për të paktën 24 orë dhe mund të zgjasë deri në 72 orë ose dhe më shumë. Për më tepër, kjo ngjyrë është rezistente ndaj larjes me ujë dhe detergjenteve të zakonshëm, nganjëherë edhe ndaj kimikateve më të forta, duke e bërë të vështirë heqjen e saj në një periudhë të shkurtër kohore.”

Sipas tij me përdorimin e ngjyrës së dukshme cenohen të drejtat e njeriut – privatësia dhe anonimiteti.

“Ngjyra matrikuluese besoj unë, cenon të drejtat e njeriut siç është privatësia dhe anonimiteti, pasi që me anë të kësaj ngjyre në gisht, do ti ekspozohemi një publiku të gjerë, dhe secili që na sheh do të dijë a kemi votuar a po jo. E drejta e votimit është e drejtë private, për të cilën s’ka arsye të dijë publiku i gjerë. Tani me shenjëzimin e KQZ-së, mund ti nënshtrohemi një presioni stigmatizues dhe të jemi nën presion shoqëror të padëshiruar. Le anash presionet tjera, që potencialisht mund të bëhen nga partitë politike për të votuar dhe dëshmuar se a kemi votuar.”

Ai ka thënë se në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në BE nuk praktikohet përdorimi i ngjyrës matrikuluese “pasi shumica prej tyre kanë adoptuar sisteme të avancuara të regjistrimit të votuesve dhe masa të tjera për të siguruar integritetin e zgjedhjeve”.

“Pse Kosova pas shumë pale zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duhet të vendos këto praktika të cilat kryesisht përdoren në vende si Afganistani, Nigeria, Iraku, Kongo etj. vende të cilat kanë histori të paqëndrueshme politike dhe zgjedhore, shpesh të shënuara nga dhuna dhe mashtrimet.”

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *