Pre. Nën 22nd, 2024

Presidenti Ademi priti delegacionin nga Federata turke, diskutohet për bashkëpunimin dhe investimet në infrastrukturë

Sot, në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, presidenti Agim Ademi priti një delegacion të lartë nga Federata Turke e Futbollit, në përbërje: Mustafa Temel Bozbağ dhe Mevlüt Aktan, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Turke të Futbollit, si dhe presidenti i klubit Istanbulspor, Ecmel Faik Sarıalioğlu dhe Temel Abdik, teksa të pranishëm ishin edhe Mirsad Çollaku, anëtar i KE të FFK-së dhe drejtuesit e FC Liria nga Prizreni.

Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy federatave, me theks të veçantë në investimet në infrastrukturën e futbollit dhe bashkëpunimin mes klubeve të të dy vendeve.

Presidenti Ademi dhe delegacioni turk diskutuan për mënyrat e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta që synojnë përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë. Mustafa Temel Bozbağ, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Turke dhe përgjegjës për investimet dhe klubet, si dhe Mevlüt Aktan, përgjegjës për zhvillim dhe strategji, shprehën gatishmërinë për të mbështetur Kosovën në përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe në rritjen e futbollit kosovar.

Presidenti Agim Ademi mori gjithashtu një ftesë zyrtare nga delegacioni turk për të vizituar Turqinë në një të ardhme sa më të afërt, për të vazhduar diskutimet dhe për të çuar përpara iniciativat e përbashkëta.

Në përfundim të takimit, presidenti Agim Ademi falënderoi delegacionin nga Turqia për vizitën dhe për angazhimin e tyre në zhvillimin e futbollit në Kosovë.

Ky takim vjen si rezultat i marrëdhënieve të mira që janë ndërtuar ndërmjet dy federatave. Para disa javësh, presidenti i ri i Federatës së Futbollit të Turqisë, Ibrahim Haciosmanoglu, i kishte dërguar një letër presidentit Agim Ademi, ku shprehte dëshirën për të ndërtuar një partneritet të fortë dhe bashkëpunues.

Në atë letër, Haciosmanoglu theksonte rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përparimin e futbollit, në përputhje me iniciativën e UEFA-s “Bashkë për sukses”, dhe shprehte gatishmërinë për të zhvilluar projekte të përbashkëta që promovojnë vlerat e ndershmërisë dhe sportivitetit.

Haciosmanoglu gjithashtu i kishte bërë ftesë presidentit Ademi për një vizitë në Turqi, duke shprehur dëshirën e nisjes së diskutimeve mbi mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe për të eksploruar projektet që do të avancojnë cilësinë e futbollit.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *