Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Këshili për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se kjo është shpresë për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë.
“KMDLNJ në Prishtinë, dënimin e Vukotiqit e konsideron një hap drejt realizimit të drejtës për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, si e drejtë e njeriut dhe shpagim moral për dëmet e pakompensueshme që i janë bërë këtyre viktimave. Dhunimi seksual përveç si krim lufte në Kosovë ka patur edhe karakter etnik”.
“Për KMDLNj-ë, ky dënim ngjallë shpresat se krimet e tilla nuk do të mbesin të pandëshkuara pavarësisht se deri më tani numri i të dënuarve është më se simbolik. KMDLNj-ë konsideron se me këtë rast është vlerësuar puna e kësaj organizate për të drejtat e njeriut për faktin se ka ndihmuar në zbardhjen e këtij rasti e që ka rezultuar me shqiptimin e dënimit”.
“KMDLNj-ë shpreson dhe beson se ky dënim nuk do të mbetet rast i izoluar por se do të dënohen edhe dhunuesit tjerë aq më parë që krimet e luft;s nuk vjetërohen asnjëherë kurse dhunimi seksual që përdoret si mjet për arritjen e qëllimeve politike dhe ushtarake është kualifikuar si krim lufte”.