Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim që t’i vazhdohet masa e paraburgimit Ismet Bahtjarit, e po ashtu t’i caktohet me kusht si bashkëmbrojtese, avokatja Marion Carrin.
Kjo është bërë e ditur përmes konferencës javore, të enjten nga zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle.
“Më 26 shtator, trupi gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të z. Bahtijari. Trupi gjykues konstatoi se ka arsye të artikulueshme për të besuar se vazhdon të ekzistojë rreziku që ai të pengojë ecurinë e procesit dhe/ose të kryejë krime të tjera. Më 30 shtator, administratorja informoi trupin gjykues lidhur me miratimin me kusht të znj. Marion Karin (Marion Carrin) si bashkëmbrojtëse e Ismet Bahtijarit”, tha Doyle.
Zëdhënësi tregoi edhe për datat lidhur me konferencat përgatitore për gjykimin në rastin e Bahtijarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës, duke shtuar se këto seanca janë caktuar për javën e ardhshme dhe se data e propozuar për fillimin e gjykimit është 11 nëntori 2024.
“Versionet e redaktuara publike të dosjes paraprake të Ismet Bahtijarit me përditësime të mëtejshme, dhe të dosjes paraprake të Haxhi Shalës, tani janë në dispozicion në faqen e internetit të DHSK-së”, tha tutje Doyle.
Ai theksoi se ka pasur raportime në media lidhur me përkthimet e aktgjykimit në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës. Sqaroi se një version në gjuhën shqipe dhe i papërfunduar është në dispozicion të Shalës dhe mbrojtësit të tij që nga 4 shtatori 2024, ndërsa versioni publik i aktgjykimit është lëshuar tashmë për publikun më 24 shtator.
“Pas disa raporteve në media lidhur me përkthimin e aktgjykimit në çështjen gjyqësore Pjetër Shala dhe disponueshmërinë e aktgjykimit për publikun, dëshirojmë të qartësojmë se një version jopërfundimtar i përkthimit në shqipe të aktgjykimit të plotë u dorëzua më 4 shtator dhe është në dispozicion të z. Shala dhe mbrojtësit të tij që nga ajo ditë. Zyra Administrative ka njoftuar gjykatën se versioni përfundimtar i përkthimit, i rishikuar nga redaktorët, pritet të dorëzohet nga fundi i tetorit 2024. Versioni publik i aktgjykimit në anglisht u lëshua më 24 shtator, me redaktimet që nevojiten për të mbrojtur identitetin e dëshmitarëve dhe viktimave”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Doyle gjithashtu tha se përkthimi i dokumenteve kërkon kohë për finalizim, por sipas tij DhSK-ja u kushton prioritet të lartë përkthimeve të aktgjykimeve e dokumenteve të tjera që duhet t’i jepen të pandehurit në gjuhën e tij.
“Duke pasur parasysh kriterin për të siguruar që dokumentet të përkthehen me standardet më të larta, përkthimi i tyre kërkon njëfarë kohe të finalizohet në çështjet gjyqësore ku gjuha e punës është anglishtja, tha ai.
Kurse për çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Doyle tha se gjatë konferencës për ecurinë e çështjes, të mbajtur më 1 tetor 2024, kryetari i trupit gjykues ka informuar se deri më 27 shtator kanë dhënë dëshmi gjithsej 159 dëshmitarë në forma të ndryshme, duke përfshirë ato në sallën e gjyqit, dëshmitë me shkrim dhe ato të kombinuara.
“88 nga këta 159 dëshmitarë kanë dhënë dëshmi në sallë të gjyqit, ku përfshihen dëshmitarët dëshmia e të cilëve u pranua me shkrim dhe të cilët u paraqitën në sallë të gjyqit për t’u marrë në pyetje nga pala jothirrëse. 71 dëshmi të tjera u pranuan vetëm me shkrim, në bazë të rregullave 153 dhe 155. Sa u takon dëshmitarëve të mbetur që do të thirren nga Prokuroria, kryetari i trupit gjykues theksoi se trupi gjykues ishte informuar nga ZPS-ja se ajo planifikon të thërrasë edhe 65 dëshmitarë të tjerë për të dhënë dëshmi në sallë të gjyqit, si dhe që synon të kërkojë pranimin në prova edhe të 54 dëshmive të tjera me shkrim të dëshmitarëve”, tha Doyle.
Gjithashtu, Doyle përmendi që gjatë kësaj konference, përfaqësuesit e ZPS-së kanë thënë që synojnë ta zvogëlojnë numrin e dëshmitarëve ende.
“Duke pasur parasysh se prilli 2025 është afati i synuar që Prokuroria të përfundojë paraqitjen e provave të saj, u diskutuan edhe hapat e mundshëm për përshpejtimin e gjykimit. Konkretisht, kryetari i trupit gjykues pyeti Prokurorinë nëse planifikon dhe si planifikon t’i përmbahet afatit të synuar të prillit 2025. Prokuroria tha se synon të zvogëlojë numrin e dëshmitarëve që do të japin dëshmi në sallë të gjyqit dhe të thërrasë më pak dëshmitarë se që u dha në vlerësimin aktual”, tha Doyle.
Doyle gjithashtu tregoi se gjatë kësaj jave, në këtë çështje gjyqësore kanë dëshmuar katër dëshmitarë. Tha se më 2 tetor 2024, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtësit të viktimave lidhur me ndryshimin e masave mbrojtëse për një viktimë pjesëmarrëse.
Ndryshe, gjatë konferencës së Apelit në çështjen ndaj Pjetër Shalës të mbajtur më 20 shtator 2024, i akuzuari u ankua se nuk e ka në dispozicion në gjuhën shqipe vendimin ndaj tij, duke shtuar se nuk e di se në çfarë mënyre është dënuar.
“Tani unë akoma nuk e kam as vendimin e përkthyer. Unë nuk e di si do të ankohemi, bëjmë ankesën kur unë nuk e di se në çfarë mënyre dënohem. Më jepet vendimi, dënohem për vrasje që nuk kam vra kurrë në jetën time. Ma shpjegojnë avokatët e unë nuk muj me besu përderisa nuk e kam zyrtarisht në mënyrë zyrtare, para vetes ta lexoj dhe kuptoj se për çka jam i dënuar dhe nuk e di si kam mundësi që të punoj me avokatët dhe të bëjmë ankesa kur akoma nuk e kam të përkthyer”, tha Shala.
Ndërsa, avokatja e tij, Leto Cariolou, tha se Shala dëshiron që ta ketë në dorë aktgjykimin përfundimtar pasi sipas saj fakti pse është dënuar dihet, por që arsyetimi është i panjohur për të gjithë me përjashtim të disa personave që kanë pasur qasje në aktgjykimin konfidencial.
“Siç e dini zotëri Shala është dënuar me datën 16 korrik. Fakti njihet, por arsyetimi është i panjohur për të gjithë me përjashtim të disa personave që kanë pasur qasje në aktgjykimin konfidencial dhe ky është shqetësim nga ana jonë. Shala dëshiron që ta ketë në dorën e tij aktgjykimin përfundimtar se është e drejtë e drejta e tij që gjykimi të mbahet në publik dhe këtë të drejtë e kanë të gjithë familjarët, akademia, media, avokatët, të gjithë kanë të drejtë t’i dinë këto procedura publikisht”, tha avokatja.
Cariolou gjithashtu e kishte quajtur këtë situatë si skandaloze, duke shtuar se kjo po e pengon mundësinë e ngritjes së apelit.
“Fakti që aktgjykimi edhe pas dy muajsh mbetet konfidencial, po ashtu edhe dosja paraprake, kjo pengon faktin e mundësisë së ngritjes së apelit. Pra, kjo çështje na pengon neve që të diskutojmë këto çështje në publik… Është situatë skandaloze. Ky është shqetësimi ynë që këto procedura janë mbajtur me dyer të mbyllura që nuk është e pranueshme. Ne e dimë që ju nuk jeni ne gjendje vetë, nuk e keni kompetencën që të nxjerrni një variant të redaktuar publik, por dua të shpreh këtë shqetësim”, tha avokatja.
Tutje, avokati i Pjetër Shalës, Mohamed Hedi Aouini ka thënë që nuk pajtohen me aktgjykimin, dhe se përveç tij do ta apelojnë edhe urdhrin për zhdëmtim të viktimave.
Kurse, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard kishte treguar se varianti i fundit i redaktuar i aktgjykimit do të dorëzohet për publikun maksimumi deri në javën e fundit të tetorit.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.