Die. Nën 24th, 2024

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për heqjen e kufizimit të mallrave serbe përmes pikës kufitare të Merdares.

“E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdare për mallra nga Serbia. Ky është një vendim i rëndësishëm që mundëson progres në integrimin rajonal (procesi i Berlinit) dhe drejt integrimit europian. Qasja multilaterale e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sjell fryte të qëndrueshme”, ka shkruar ai në X.

Këtë vendim të Qeverisë dje e ka mirëpritur edhe Gjermania, e cila negocioi me Qeverinë e Kosovës për heqjen e këtij vendimi në mënyrë që Kosova të mos e rrezikojë përjashtimin nga CEFTA.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka njoftuar se kufizimi për hyrjen e mallrave prej Serbisë është hequr në pikën kufitare në Merdare, ndërsa ka potencuar se kjo ndalesë ishte vendosur për arsye sigurie dhe jo tregtare.

Kurti ka kërkuar skanerë nga partnerët e saj në pikat kufitare me arsyen që në Kosovë të mos hyjë asgjë prej Serbisë që mund t’ia cenojë sigurinë.

Ai ka thënë se derisa të vijnë këta skanerë vetëm në Merdare do të lejohet hyrja e mallrave serbe ku edhe do të kryhen kontrolle të rrepta.

“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare… ne besojmë që ndryshimi i masës është më se i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë”

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *