Në sesionin e dytë të Samitit të Procesit të Berlinit rreth Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Energjinë dhe Lidhshmërinë, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka theksuar se 25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova.
Siç tha Kurti në Berlin, kjo nuk shërben pozitivisht as për marrëdhënie fqinjësore, as për adaptimin klimatik.
Më tej, shefi i qeverisë ka thënë se vetëm këtë vit, Kosova ka shënuar verën më të nxehtë ndonjëherë, me një rritje në thatësira dhe mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm. Ai tha se qeveria është e përkushtuar ndaj politikave që sigurojnë trancizion të drejtë kah një e ardhme e qëndrueshme.
Më poshtë mund ta lexoni adresimin e plotë të Kurtit:
Jemi duke hyrë në një fazë kritike dhe të paparashikueshme të krizës klimatike në nivel global. Vetëm këtë vit, Kosova ka shënuar verën më të nxehtë ndonjëherë, me një rritje në thatësira dhe mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm. Jemi të përkushtuar ndaj politikave që sigurojnë tranzicion të drejtë kah një e ardhme e qëndrueshme.
Strategjia jonë gjithëpërfshirëse e energjisë nënvizon qëllimin tonë që të bëhemi neutral ndaj karbonit (Carbon Neutral) deri në vitin 2050. Ky zotim mbështetet nga ligjet tona të reja mbi Ndryshimet Klimatike dhe Burimet e Energjisë së Ripërtëritshme, të cilat ofrojnë bazat për një politikë afatgjatë klimatike. Vitin e kaluar, kemi lansuar një pako investive të burimeve të ripërtëritshme prej 950 MË, duke përfshirë projekte konkurruese për kapacitete gjenerimi të energjisë dhe të ruajtjes së saj. Projekte të ardhshme, si ai i parkut të erës me kapacitet 150MË dhe parkut diellor me kapacitet 100MË, nënvizojnë përpjekjet tona për të diversifikuar burimet e energjisë dhe reduktuar emetimet.
Ndonëse kemi rezervat e pesta më të mëdha në botë të linjitit, kemi vendosur një objektiv të qartë për të reduktuar emetimet tona të gazrave serrë prej 36% deri në vitin 2030 dhe për t’i mbajtur rezervat nëntokë. Mbetemi të përkushtuar ndaj tranzicionit të gjelbër, edhe pse nuk jemi palë në Marrëveshjen e Parisit. Ndryshimi klimatik po na ndikon tashmë edhe ne dhe nevoja për mbështetje është urgjente. Sipas Bankës Botërore, përpjekjet tona për qëndrueshmëri klimatike kërkojnë investime në vlerën prej 2.8 miliardë euro, kryesisht për infrastruktura të adaptimit për të lehtësuar rreziqe si përmbytjet, thatësirat dhe mungesën e ujit. Vetëm vitin e kaluar, dëmet e lidhura me klimën kanë arritur në vlerën prej 28.9 milionë euro, duke ndikuar te 21,500 njerëz.