Sht. Nën 23rd, 2024

Si funksionon “Kubeja e Hekurt” e Izraelit

Që nga fillimi i luftës me Hamasin një vit më parë, Izraeli vazhdon të sulmohet çdo ditë me raketa, një pjesë e mirë e të cilave vazhdojnë të nisen nga organizata Hezbollah në Liban. Por, si arriti Izraeli të interceptojë gati 90% të sulmeve me raketa? Ekspertët shpjegojnë vlerën e sistemit izraelit “Kubeja e Hekurt” për mbrojtjen ajrore të vendit, të cilës do t’i vijnë tashmë në ndihmë edhe sistemet e avancuara amerikane të mbrotjes ajtore, THAAD.

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore (THAAD) dhe trupa në Izrael, njoftoi të dielën Pentagoni.

Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral major Pat Ryder, tha se sistemi do të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes ajrore të Izraelit pas dy sulmeve me raketa të Iranit, në muajin prill dhe tetor.

Izraeli ka disa sisteme të mbrotjes nga raketat një prej tyre i quajtur “Kubeja e Hekurt”. I inauguruar në vitin 2011, sistemi u ndërtua me ndihmën amerikane nga kompania izralite Rafael dhe synon të ndalë sulmet nga raketat me rreze të shkurtër, mortaja dhe dronë.

“Pas luftës së viti 2006 duhej të krijohej një lloj mbrojtjeje. Nuk patën sukses përpjekjet e ushtrisë për të dekurajuar sulmet duke u hedhur në operacione ofensive. Kështu që u vendos krijimi i sistemit të mbrojtjes dhe kontrata iu dha kompanisë Rafael, që e realizoi brenda tre viteve”, thotë Uzi Rubin, ish-drejtuesi i parë i agjencisë izraelite për mbrojtjen me raketa.

Ndërkohë që sistemet e mbrojtjes me rreze të gjatë kanë rezultuar efikase, si gjatë sulmit të fundit të Iranit me raketa, duket se vështirësitë janë më të mëdha kur bëhet fjalë për të përballuar sulme nga objekte që fluturojnë ulët.

“Kubeja e Hekurt nuk është efikase ndaj objekteve që fluturojnë ulët (si raketat anti-tank), apo raketat Burkan me rreze të shkurtër, pasi sistemit i duhet kohë për t’u bërë gati dhe për t’u futur në funksionim. Është shumë e shkurtër koha nga momenti i nisjes së sulmit”, shpjegon Yehoshua Kalisky, nga Instituti Izraelit për Studimet e Sigurisë Kombëtare.

Duket se pikërisht kjo ndodhi dje në Izrael kur një dron i Hezbollahut arriti të depërtojë pa u pikasur dhe të godasë në një bazë të ushtrisë izraelite. Në bazën ushtarake shkuan menjëherë shefi i shtabit, gjenerali Herzi Halevi dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, ndërsa po hetohen rrethanat e këtij sulmi, nga i cili u vranë katër ushtarë dhe që sipas shërbimeve të emergjencës u plagosën 60 të tjerë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *