Hën. Nën 25th, 2024

“Provokimet e Serbisë do të dështojnë”, Sveçla: Kosova e gatshme të ballafaqohet me çdo sfidë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, lidhur me provokimet që po bën Serbia ndaj Kosovës, ka deklaruar se Serbia e ka shkelur marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare, duke iu referuar pranisë së katër pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe në stacionin policor kufitar në Merdarë.

I pyetur nga mediat nëse këto kërcënime nga Serbia janë dërguar te partnerët ndërkombëtarë, Sveçla theksoi se Serbia nuk është e gatshme për bashkëpunim, pavarësisht marrëveshjeve që ka nënshkruar.

“Ata bëjnë shkelje të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshjeje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm të ballafaqohemi me çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë t’i prezantojmë ato te partnerët tanë si dëshmi shtesë se Serbia nuk është e gatshme për të bashkëpunuar, pavarësisht marrëveshjeve që ka nënshkruar”, u shpreh Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se është shumë e qartë që Kosova është e kërcënuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë. Sipas tij, i gjithë aparati shtetëror i Serbisë punon për të përmbushur qëllimet e saj, të cilat jo vetëm që janë të papranueshme për Kosovën, por janë edhe kriminale në realitetin tonë. Sveçla nënvizoi se institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë për t’i zmbrapsur këto qëllime të Serbisë në çdo moment, tani dhe në të ardhmen.

“Jam i bindur që këto provokime do të dështojnë. Sigurisht, ato vështirësojnë jetën e qytetarëve tanë, veçanërisht të komunitetit serb, por ne jemi të aftë të ballafaqohemi me çfarëdo sfide, nga brenda apo jashtë,” përfundoi Sveçla.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *