Kryeministri Albin Kurti, në një prononcim për media tha se po pret që të njoftohet nga kryenegociatori Besnik Bislimi, se çfarë është diskutuar në Bruksel.
Kreu i qeverisë, ka ripërsëritur edhe një herë kërkesat karshi Serbisë për sukses në dialog, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes bazike dorëzimin e Milan Rajdojçiqit dhe të grupit të tij kriminal dhe tërheqjen e letrës të ish-kryeministres Bërnabiq.
“Duhet të presim se çfarë do të na njoftojë prej atje Besnik Bislimi, zëvendësi, im i cili është njëkohësisht edhe kryenegociator”.
“Për ne më e rëndësishme është siguria legale dhe mirëbesimi në bisedime që nënkupton nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike me aneks të zbatimit, që nënkupton dorëzimin e Milan Rajdojiçiq dhe të grupit të tij kriminal dhe që nënkupton tërheqjen e asaj letrës të ish-kryeministres Bërnabiq kur para BE e 27 shteteve anëtare në Bruksel në mes të dhjetorit mtë vitit të kaluar tha që nuk e zbaton integritetin territorial të Kosovës”.
“Kjo është e papranueshme që integriteti territorial të mos respektohet”, ka thënë ai.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ndodhen më 24 tetor në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.
Njësoj si më herët, rundi i ri nisi me takime dypalëshe. I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, së pari është takuar me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.
Më pas, ai nisi takimin me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Nëse do të ketë vullnet nga palët, më pas mund të zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh.
Lidhur me këtë takim në nivel kryenegociatorësh, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të mërkurën se temë do të jetë Marrëveshja e Ohrit./E.O