Hën. Nën 25th, 2024

Kurti dhe Sarrazin takohen te ambasadori Rohde, ja çfarë diskutuan!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati sot një mëngjes pune me përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në rezidencën e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

Pjesë e diskutimit ishin forcimi dhe avancimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe çështjet aktuale.

Kryeministri uroi përfaqësuesin Sarrazin për një samit të suksesshëm në 10-vjetorin e Samitit të Berlinit këtë muaj, ku u nënshkrua një marrëveshje e re për qasje në studime, deklarata për Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025 – 2028 si dhe deklaratat e përbashkëta për fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal, për qasjen dhe bashkëpunimin në infrastrukturën e kërkimit dhe inovacionit dhe atë për standardet rajonale të ekzaminimit investimeve të huaja direkte në Ballkanin Perëndimor.

Ai nënvizoi rëndësinë e fokusimit në zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar. Në këtë drejtim, Kurti theksoi se pas vendimit të Kosovës që qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të mund të udhëtojnë me letërnjoftime në Kosovë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është e rëndësishme që të punohet që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID ashtu që të mundësohet zbatimi i plotë i marrëveshjes.

Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdarë, kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.

Kryeministri e falënderoi Sarrazinin për angazhimin dhe kontributin e tij në avancimin e bashkëpunimit rajonal.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *