Mër. Tet 30th, 2024

Rrjedha e sotme e kuvendit

Deputetët kanë miratuar me 59 vota Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028. Partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë në votim, ani pse ata kanë shprehur kritikat e tyre.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se ky program përbëhet nga kriteret politike, ekonomike dhe përafrimi i legjislacionit.

Bislimi: Programi ka 306 masa, 38 prej tyre projektligje

“Programi ka 306 masa, prej të cilave 105 janë masa legjislative kurse 201 janë masa zbatuese. Nga 105 masa legjislative 38 prej tyre projektligje, tri janë marrëveshje ndërkombëtare kurse pjesa tjetër janë akte nënligjore. Buxheti për zbatimin e këtij programi në përgjithësi është vlerësuar të jetë 56 milionë e 43 mijë e 856 euro, nga të cilat 22,6 milionë euro janë nga buxheti publik. Ndërkaq, 33 milionë e 434 mijë e 966 vijnë nga partnerët zhvillimor dhe donatorët. Rrjedhimisht për implementimin e këtij programi ka zero vakuum buxhetor”, deklaroi Bislimi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri tha se ky dokument po tentohet të kalojë pa u debatuar.

Tahiri: Zëvendëskryeministri Bislimi duhet të kujtojë që Kosova është nën sanksione

“Kur flasim për elementin politik, duhet me ia rikujtua zëvendëskryeministrit të parë që Kosova sot është nën sanksione, që sot në ora 16:00 i dorëzohet, nuk e di a i është dorëzuar ende raporti i progresit që në kriterin politik përfaqëson kritika të drejtpërdrejta për menaxhimin e shtetit që ka qenë në vitin e kaluar. Raporti i progresit nënvizon probleme serioze që ndërlidhen me kapacitetin e kësaj qeverie për të shtyrë përpara agjendën e reformave të integrimit evropian. Ndërlidhet po ashtu me një mori ligjesh të cilat bien ndesh drejtpërdrejt me kriteret e Kopenhagës, ligje të cilat kanë prekur funksionimin e institucioneve të pavarura”, deklaroi Tahiri.

Ndërkaq, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Driton Hyseni tha se raportet e Bashkimit Evropian kanë evidentuar zhvillime pozitive në vend.

Hyseni: Kishte qenë mirë të presimin dorëzimin e Raportit për Vendin

“Meqë zotëri Tahiri përmendi që raporti dorëzohet sot, kishte qenë mirë ta presim trajtimin, ta trajtojmë me kujdes dhe mandej të shohim se cila është perspektiva që përmban raporti, cilat janë të gjeturat e tij e ne e dimë që në dy vitet e kaluara sidomos kemi para që raportet e Bashkimit Evropian kanë evidentuar zhvillime shumë pozitive në vendin tonë, për çka duhet t’i gëzohemi edhe pozita edhe opozita”, tha Hyseni.

Gjatë ditës Kuvendi ka miratuar Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë. Një nen i këtij projektligji u mundëson qytetarëve nga Lugina e Preshevës që të kenë pronësi mbi pronën e tyre në Kosovë.

30.10.2024 – 13:33
​Nuk miratohet rezoluta e PDK-së për gjetjet e Raportit të DASh-it

Kuvendi nuk e ka miratuar rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh). 58 deputetë kanë abstenuar, dy vota kanë qenë për dhe një kundër.

Në rend dite të seancës së sotme plenare ka qenë edhe shqyrtimi i deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Diskutimi për këtë pikë është ngritur më 2 maj të këtij viti, por nuk është arritur të votohet kjo rezolutë.

Kjo deklaratë është dashur të prezantohet nga deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, por ai nuk ka qenë i pranishëm në seancë.

Konjufca: I shprehim ngushëllime deputetit Xhavit Haliti

“Zotëri Haliti e ka një arsye objektive familjare pse nuk është këtu. I ka ndërruar jetë nëna. Kështu që në emër të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës i shprehim atij dhe familjes së tij ngushëllimet tona për deputetin Haliti. Kjo rezolutë besoj që trajtohet kur ai të vije në Kuvend dhe harmonizohet kjo deklaratë edhe me grupet tjera parlamentare”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Me 61 vota për, Kuvendi e ka miratuar në parim projektligjin për menaxhimin e resurseve ujore.

30.10.2024 – 13:20
Sot Kuvendi e miratoi raportin për performancën e ndërmarrjeve publike për vitin 2022

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar raportin për performancën e ndërmarrjeve publike për vitin 2022.

Pro këtij raporti kanë votuar 59 deputetë.

Ndërsa 2 abstenuan.

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur vazhdim të seancës plenare ku janë mbi 20 pika në rend të ditës.

30.10.2024 – 12:56
Miratohet Projektligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë

Kuvendi ka miratuar Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë. Një nen i këtij projektligji u mundëson qytetarëve nga Lugina e Preshevës që të kenë pronësi mbi pronën e tyre në Kosovë. Por, pajtueshmëri të gjithë mazhorancës nuk po ka në secilin projektligj. Vetëm 48 deputetë kanë marrë pjesë në votim për projektligjin për gjendjen civile.

Mazhoranca ka qenë kundër edhe projektligjit për automjete, ku nëntë deputetë votuan për, kundër tij ishin 52 deputetë.

Derisa ka kërkuar mbështetjen e këtij projektligji, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku tha se ka shumë familje që nuk përballojnë që të blejnë vetura të reja.

Lushtaku: Duhet të hiqet mundësia që të largohet kufizimi për blerjen e veturave më të vjetra se 10 vjet

“Ka qenë kërkesë e shumë qytetarëve që të ketë një ndryshim të Ligjit për Automjete, kryesisht prej familjeve me standard më të ultë duke ditur që e kanë të vështirë që të blejnë një veturë me një standard ekonomik të familjeve të ulëta dhe të mesme dhe prandaj duke parë që ligji për automjete ja ndalon importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet, unë e kam propozuar që ky kufizim të largohet meqë në ligjin për automjete i kemi dy standarde dhe ato standarde të dyfishta gjë që nuk ndodhë as në Evropë”, deklaroi Lushtaku.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit për Mjedis, Fitore Pacolli shprehi kundërshtinë e saj për këtë propozim.

Pacolli: Kërkojmë nga deputetët që të mos i votojnë

“Komisioni i ka shqyrtuar propozimet të cilat kanë ardhur nga deputeti Mërgim Lushtaku. Komisioni mendon se propozimet janë jo profesionale, prandaj edhe i kërkojmë deputetëve që të mos i votojnë. Po ashtu, Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës është duke punuar në hartimin e ligjit të ri, i cili rregullon të gjitha problemet që janë paraqitur me ligjin ekzistent”, deklaroi ajo.

Në seancën e sotme plenare, kryeparlamentari Glauk Konjufca u ka tërhequr vërejtjen anëtarëve të kabinetit qeveritar, të cilët nuk po marrin pjesë në seanca plenare. Në rend dite ka qenë shqyrtimi i projektligjit për menaxhimin e resurseve ujore, por i pranishëm nuk ishte ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.

Konjufca: I ftojmë kabinetet e ministrave të jenë më të vëmendshëm

“I ftojmë kabinetet e ministrave të jenë më të vëmendshëm të shikojnë kur është seanca dhe kur i kanë projektligjet”, u shpreh Konjufca.

Me 61 vota për është miratuar Ligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tha se një nen i këtij ligji mundëson që qytetarët nga Lugina e Preshevës të kenë pronë në Kosovë.

Rrustemi: Një nen esencial iu mundëson qytetarëve nga Lugina për të pasur pronësi mbi pronën në Kosovë

“Komisioni për Legjislacion e ka trajtuar projektligjin në mes dy leximeve, bëhet fjalë për një ndryshim të kufizuar në një nen esencial që iu mundëson bashkëkombësve tanë nga Lugina e Preshevës për të pasur pronësi mbi pronën edhe në Kosovë”, tha Rrustemi.

Ndërkaq, vetëm 48 deputetë kanë marrë pjesë në votim për projektligjin për gjendjen civile.

Konjufca: Ky projektligj nuk ka pajtim në grupin e mazhorancës

“Vetëm 48 deputetë kanë marrë pjesë në votim, ky është një projektligj siç duket që nuk ka pajtim në grupin parlamentar, në grupin e mazhorancës. Kështu që nuk kemi mundësi ta trajtojmë. Kërkoj që projektligji të zhvendoset”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Nuk është miratuar as projektligji për provimin e maturës shtetërore.

Ndërkaq, me 62 vota për , asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi Ligjin për Rrugët.

30.10.2024 – 12:36
Tahiri: Plani Kombëtar për Integrim ka ardhur në Kuvend pesë muaj me vonesë

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka hedhur kritika ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, për Planin Kombëtar të Integrimit.

Sipas tij, ky Plan ka ardhur në Kuvend pesë muaj me vonesë dhe se nuk janë adresuar me kohë detyrat.

“Ky dokument është themeluar në komisionin përkatës është themeluar më 19 qershor të Këtij viti. Dokumenti strategjik i cili është dashur të reflektojë në synimet dhe detyrat afatshkurta të zbatimit për këtë vit, vjen në Kuvend pesë muaj mbrapa”.

“Nëse e shohim te rekomandimi i cili u prezantua nga nënkryetarja e këtij Komisioni, shihet qartë referenca që duhet kryer disa punë që quhen veprime afatshkurtra të vitit 2024. Këto veprime ndërlidhen me akte nënligjore që ish dashtë Qeveria me i përfundua”, tha Tahiri.

30.10.2024 – 12:04
Konjufca kërkon nga deputetët e VV-së të jenë “më të vëmendshëm” në seancë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që të jenë më të vëmendshëm në seancë. Kërkesa e Konjufcës, ka ardhur gjatë miratimit të disa projektligjeve në Kuvend.

“Arsyeja përse kemi ardhur në seancë është për t’i miratuar këto projektligje”, ka deklaruar ai.

Për dy javë rresht, në seancat e Kuvendit të Kosovës kishte pasur mungesë të deputetëve të pushtetit, Lëvizjes Vetëvendosje, duke bllokuar kështu punën legjislative dhe debatin politik në vend.

Ky bojkot i përsëritur për shoqërinë civile kishte ngjallur shqetësime të thella për funksionalitetin e institucioneve demokratike.

Në seancën e së enjtes, s’ka pasur kuorum për votimin e rezolutës e cila u paraqit nga shefi i Grupi Parlamentar nga Lidhja Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, që përfshinte hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Në mungesë të deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe kabinetit qeveritar, deputetët e partive opozitare kishin organizuar edhe javën e kaluar tri seanca të jashtëzakonshme – ku u debatua për aferën e ambalazhuesve të ujit dhe për keqpërdorimet milionëshe në Ministrinë e Infrastrukturës, bisedat e shefes së grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me kryeterroristin, Milan Radojiçiç dhe problemet me ushqimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

30.10.2024 – 12:03
Votimi për marrëveshjet ndërkombëtare shtyhet sërish

Tri marrëveshje ndërkombëtare janë shtyrë për një seancë tjetër.

Kjo për shkak të mungesës së deputetëve në seancën e sotme e cila ka nisur në orën 11:00.

Opozita nuk ka votuar as për praninë në seancë.

30.10.2024 – 12:03
Deputetët mbështesin emërimin e 7 anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë mbështetur emërimin e 7 anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Ndonëse opozita s’mori pjesë në votim, kjo pikë kaloi me 61 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër.

“Mandati i anëtarëve të Këshillit është tri vite.

Ju urojmë suksese”, tha kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

30.10.2024 – 12:02
Kuvendi miraton projektligjin për Këshillin e Sigurisë

Kuvendi e ka miratuar projektligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ky projektligj është shqyrtuar.

30.10.2024 – 12:02
Ndonëse prezente në Kuvend, opozita s’voton për praninë në sallë

Kuvendi i Kosovës tashmë ka nisur.

Megjithatë, ndonëse opozita është e pranishme në Kuvend, nuk po merr pjesë në votimin për praninë në sallë.

Votimi është duke u përsëritur disa herë.

Votimi i fundit rezultoi me 61 deputetë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *