Nga 2 dhjetori, qytetarët e Podujevës do të marrin shërbime në objektin e ri të Urgjencës, e cila është përuruar të mërkurën.
Ky projekt është bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Podujevës dhe Organizatës “Qatar Charity”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky projekt nuk është i rëndësishëm vetëm për Podujevën, por edhe për bashkatdhetarët dhe qytetarët e Luginës, për shkak të afërsisë me pikën kufitare në Merdar.
“Është një projekt me rëndësi madhore për Podujevën. Urgjenca e Podujevës jo vetëm që do t’i shërbejë qytetarëve të saj, por edhe bashkatdhetarëve dhe qytetarëve të Luginës, pasi pika kufitare është shumë afër”, tha Kurti.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se ky objekt është ndërtuar në bashkëpunim në mes të kësaj komune dhe Organizatës “Qatar Charity”, ku 600 mijë euro janë investuar nga Komuna, kurse 1.1 milion euro nga kjo organizatë.