Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin për hapjen e kutive postare për procesin e votimit jashtë Kosovës.
“Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që regjistrohen suksesshëm dhe që zgjedhin mënyrën e votimit duke dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, KQZ-ja do të kërkojë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës hapjen e nga një kutie postare në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicër”, njofton KQZ-ja.
Sipas ligjit për zgjedhjet, gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, votuesit mund të votojnë duke u përcaktuar individualisht për mëyrën e votimit: 1. Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; 2. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë; 3. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja jashtë Kosovës. Andaj, vendimi i mbledhjes së KQZ-së është i lidhur drejtpërdrejtë me mënyrën e votimit sipas pikës 3, për të cilën janë përcaktuar shtetasit jashtë Kosovës, në momentin e regjistrimit: Duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja jashtë Kosovës.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja mori edhe disa vendime në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit në mesin e të cilave edhe ai për miratimin e nominimeve për emrimin e dy anëtarëve në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Parteshit; vendimi për miratimin e zëvendësimit dhe emërimit të anëtarit në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Lipjanit, etj.