Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se është iniciuar rasti për kryerjen e veprës penale “sulm ndaj personit zyrtar”, lidhur me përleshjen fizike që u raportua se kishte ndodhur të martën mes dy zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipas prokurorisë rasti është duke u hetuar në procedurë të rregullt nga prokurori i shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës.
“Sa i përket rastit për të cilin keni kërkuar informacione, ju njoftojmë se rasti është inicuar për shkak të veprës penale sulm ndaj personit zyrtar dhe se rasti është duke u hetuar nga prokurori i shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës në procedurë të rregullt”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për Tëvë1.
Të martën, më 12 nëntor, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u raportua se kishte ndodhur një përleshje fizike mes dy zyrtarëve.
Ushtruesi i detyrës i sekretarit të përgjithshëm Xheladin Krasniqi, dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht zyrtarin Miftar Latifi.
Ndërsa, lidhur me këtë rast të enjten para kësaj ministrie është mbajtur një protestë e heshtur nga punëtorët e MKRS-së.