Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se Rusia kishte lëshuar 120 raketa dhe 90 dronë të dielën, në një sulm në shkallë të gjerë në të gjithë Ukrainën duke synuar infrastrukturën e saj energjetike. Sulmi i kombinuar me dronë dhe raketa sipas zyrtarëve të ushtrisë ishte më i fuqishmi në tre muaj. Ndërkohë kancelari gjerman Olaf Scholz tha se nga biseda e tij me telefon me Vladimir Putinin të premten nuk kishte marrë asnjë sinjal për ndryshim në të menduarit e Presidentit rus për luftën në Ukrainë.
Rusia të dielën kreu një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, i përshkruar nga zyrtarët ukrainas si më i madhi gjatë muajve të fundit, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe duke vrarë civilë.
Sulmi ndodhi ndërsa rritet frika se qëllimi i Moskës është të shkatërrojë objektet e prodhimit të energjisë në Ukrainë, teksa temperaturat janë ulur ndjeshëm.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se Rusia kishte lëshuar gjithsej 120 raketa dhe 90 dronë në një sulm në shkallë të gjerë në të gjithë Ukrainën.
Lloje të ndryshme dronësh ishin nisur nga forcat ruse tha ai, duke përfshirë dronët “Shahed” të prodhuar nga Irani si dhe raketa balistike apo me vetëdrejtim.
“Objektivi i armikut ishte infrastruktura jonë energjetike në të gjithë Ukrainën. Fatkeqësisht, ka dëmtime të objekteve nga goditjet. Në Mykolaiv, si rezultat i një sulmi me dron, dy persona u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën, përfshirë dy fëmijë”, tha Presidenti Zelenskyy në një postim në rrjetin Telegram.
Dy të tjerë u vranë në rajonin e Odesas, ku sulmi dëmtoi infrastrukturën energjetike dhe ndërpreu furnizimin me energji dhe ujë, tha guvernatori lokal.
Sulmi i kombinuar me dronë dhe raketa ishte më i fuqishmi në tre muaj, sipas kreut të Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit, Serhii Popko.
Komanda operacionale e forcave të armatosura të Polonisë shkruajti në rrjetin social “X” se avionët polakë dhe të aleatëve, përfshirë avionë luftarakë ishin mobilizuar në hapësirën ajrore polake për shkak të sulmit “masiv” rus në Ukrainën fqinje.
“Kjo masë u mor me qëllim që të ofronim siguri në zonat kufitare të Polonisë”, theksohej në njoftim.
Në një tjetër zhvillim, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se nga biseda e tij me Vladimir Putinin të premten nuk kishte marrë asnjë sinjal për ndryshim në të menduarit e presidentit rus për luftën në Ukrainë, por ai mbrojti vendimin e tij shumë të kritikuar për të telefonuar Kremlinin.
Duke folur nga aeroporti i Berlinit të dielën, menjëherë përpara nisjes së tij për takimin e G20 në Brazil, zoti Scholz tha se ia vlente të flitej me Putinin për të larguar çdo iluzion që ai mund të ushqente se Perëndimi do të tërhiqej nga mbështetja për Ukrainën.
Duke iu referuar kthimit të zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë, kancelari gjerman tha gjithashtu se nuk do të ishte mirë nëse Uashingtoni do të ishte në kontakt të rregullt me Putinin, ndërkohë që asnjë lider evropian nuk ishte.