Gjykata Speciale e Kosovës ka nxjerrë të premten vendimin me të cilin e detyron ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, t’ua paguajë 208 mijë euro viktimave në rastin gjyqësor ndaj tij.
Trupi gjykues tha se bëhet fjalë për tetë viktima.
“Trupi gjykues gjykon se shumat e kërkuara nga mbrojtësi i viktimave pasqyrojnë shkallën dhe masat e dëmit të pësuar nga tetë viktimat dhe janë të arsyeshme. Duke e mbajtur parasysh shkallën dhe përmasat e dëmit të mësuar nga viktimat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta dhe duke vendosur për aspektet e paqarta në favor të personit të shpallur fajtor, trupi gjykues cakton shumën e gjithsej të zhdëmtimit që zotëri Shala ka përgjegjësi të paguajë në 208 mijë euro”, tha kryetarja e trupit gjykues.
“Rrjedhimisht, zotëri Shala urdhërohet t’u paguajë si kompensim për dëmin e shkaktuar 100 mijë euro viktimës 1; 10 mijë euro viktimës 3; tetë mijë euro për person viktimave 2,4,5,6,7 dhe 8; dhe 50 mijë euro bashkërisht viktimave 2,3,4,5,6,7 dhe 8”, shtoi ajo.
Në korrik të këtij viti, Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënua me 18 vjet burgim.
Shala u shpall fajtor për tri akuza për krime të pretenduara të luftës: krime lufte, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Ky është urdhri i dytë për zhdëmtim që lëshohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në prill të vitit të kaluar, Specialja e ngarkoi ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa t’ua paguajë 207 mijë euro viktimave në rastin gjyqësor ndaj tij