Enj. Dhj 5th, 2024

Siri, forcat qeveritare ndërmarrin kundërofensivë ndaj rebelëve

Ushtria siriane dërgoi të dielën përforcime për të goditur qytetin Idlib në një përpjekje për të frenuar përparimin e kryengritësve, pasi ata morën nën kontroll Aleppon dhe rrethuan disa zona strategjike në një provincë pranë saj në një ofensivë të befasishme.

Kryengritësit e udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Shami morën nën kontrol pjesën më të madhe të Aleppos të shtunën dhe pretenduan se kishin hyrë në qytetin e Hamas. Nuk ka pasur një konfirmim të pavarur për këtë pretendim të tyre.

Ofensiva e papritur e vë në një pozitë të vështirë Presidentin sirian Bashar Assad dhe ngre pyetje në lidhje me gatishmërinë e trupave të tij. Ky zhvillim vjen gjithashtu në një kohë kur aleatët e zotit Assad – Irani dhe grupet që mbështet ai dhe Rusia – janë të përqendruar tek konfliktet e tyre.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi do të vizitojë të dielën kryeqytetin Damask. Ai u tha gazetarëve se Teherani do të mbështesë qeverinë dhe ushtrinë siriane.

Udhëheqësit arabë, përfshirë mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, në telefonata me Presidentin Assad shprehën solidaritetin e tyre me Damaskun.

Turqia, një mbështetëse kryesore e grupeve të opozitës siriane, tha se përpjekjet e saj diplomatike nuk kishin arritur të parandalonin në javët e fundit sulmet e qeverisë siriane në zonat e kontrolluara nga opozita.

Zyrtarët turq të sigurisë thanë se një ofensivë e kufizuar e rebelëve ishte planifikuar për të frenuar sulmet e qeverisë dhe për të lejuar kthimin e civilëve, por ofensiva u zgjerua pasi forcat qeveritare siriane filluan të tërhiqen nga pozicionet e tyre.

Kryengritja, e udhëhequr nga grupi xhihadist selefist Hayat Tahrir al-Sham dhe ku janë të përfshirë luftëtarë të mbështetur nga Turqia, filloi të mërkurën me një sulm nga dy drejtime ndaj Aleppos dhe fshatit Idlib, përpara se të drejtohej ndaj provincës Hama.

Në provincën e Aleppos, ata vunë nën kontroll një qytet strategjik që shtrihet përgjatë autostradën që lidh Aleppon me Damaskun dhe bregdetin.

Komandanti i rebelëve, kolonel Hassan Abdulghani tha se pavarësisht kundërofensivës së qeverisë, luftëtarët e tij po përparojnë në Aleppo. Ai tha se ata morën kontrollin e Sheikh Naxharit, i njohur gjithashtu si Qyteti Industrial i Aleppos. Abdulghani tha se 65 trupa siriane u kapën rob në Aleppon lindore. Ai tha gjithashtu se kryengritësit shënuan përparim në fshatin Idlib, duke vënë nën kontrollin e tyre të gjithë provincën.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë tha se përparimi tronditës nga rebelët përbën një rrezik për sigurinë rajonale dhe bëri thirrje për rifillimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

“Kam paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet e përshkallëzimit në Siri, për rrezikun që paraqet përqendrimi tek menaxhimi i konfliktit dhe jo tek zgjidhja e konfliktit”, tha Geir Pedersen në një deklaratë. Ai tha se realiteti është se asnjë palë apo grup aktorësh në Siri nuk mund ta zgjidhë konfliktin me mjete ushtarake.

Televizioni shtetëror sirian pretendoi se forcat qeveritare kishin vrarë rreth 1000 kryengritës gjatë tre ditëve të fundit, pa dhënë prova apo detaje për një gjë të tiollë. Sulmet ajrore nga forcat qeveritare në Idlib vranë të dielën të paktën tre civilë, përfshirë dy fëmijë, dhe plagosën 11 të tjerë, tha Mbrojtja Civile Siriane, e njohur si Helmetat e Bardha, e cila vepron në zonat e kontrolluara nga opozita.

Në komentet e tij të para publike që nga fillimi i ofensivës, të lëshuara nga agjencia shtetërore e lajmeve të shtunën në mbrëmje, Presidenti Assad tha se Siria do të vazhdojë të “mbrojë stabilitetin dhe integritetin e saj territorial kundër terroristëve dhe mbështetësve të tyre”. Ai shtoi se Siria është në gjendje t’i mposhtë ata pavarësisht se sa intensifikohen sulmet e tyre.

Beteja e vitit 2016 për Aleppon ishte një pikë kthese në luftën midis forcave qeveritare siriane dhe luftëtarëve rebelë, pasi protestat e vitit 2011 kundër sundimit të Assadit u shndërruan në një luftë gjithëpërfshirëse. Beteja e Aleppos siguroi kontrollin e Assadit në zonat strategjike të Sirisë, ndërsa fraksionet e opozitës dhe mbështetësit e tyre të huaj kontrollonin zonat në periferi.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *